Zjarret/ Rama fshihet pas 'Çobanëve" ia kalon topin drejtësisë

Kryeministri Edi Rama nuk gjen asnjë faj për zjarret që prej ditësh kanë pushtuar vendin.

Në një postim në facebook Rama lë të kuptojë se për zjarret përgjegjës janë piromanët dhe topin ia kalon Prokurorisë dhe gjykatës. 

"POLICIA E SHTETIT ka punuar papushim për kapjen e zjarrvënësve dhe e ka rradhën prokuroria e gjykata që të japin dënimet më shembullore për një krim të tillë ndaj vendit, natyrës, ekonomisë, jetës" shkruan Rama në profilin e tij në facebook ku gjen çdo gjë, por asnjë një resht për angazhimin e forcave të Sigurisë dhe zjarrfikësve të Kosovës të cilët prej ditës së djeshme u angazhuan krah shqiptarëve në shuarjen e flakëve në tunelin e Kalimashit dhe Malin Rrunës në Kukës.

 

Po a ka përgjegjësi qeveria?

Pamjet që mbërrinin nga zonat e përfshira nga flakët ushtria dukej se punonte me mjete rrethanore e në kushte të papërshtatshme për të shuar flakët.  Madje për disa ditë, kur Karaburuni po digjej vetëm një helikopter ishte në dispozicion “për shuarjen e zjarreve dhe "një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës” vuri në dukje dhe opozita e cila e akuzon për keqmenaxhim, paaftësi, shpërdorim detyre e korrupsion.

Edhe Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka lëshuar një mesazh të fortë mbi përgjegjësitë për zjarret që po djegin vendin në katër anët. Mes të tjerave ai thekson se faji i autoriteteve nuk mund të fshihet pas ngrohjes globale e “çobanëve”.

Pjesë nga komenti i Dom Gjergj Metës

Pjesa e brendshme e natyrës shqiptare është lënë në mëshirë të fatit e të njerëzve të papërgjegjshëm kriminalë ose përfitues të bizneseve klienteliste.

Përgjegjësia e autoriteteve shtetërore nuk mund të fshihet e as të mbulohet me ngrohjen globale apo me papërgjegjësinë e "çobanëve" zjarrvënës. Këta zjarre dhe përhapja e tyre janë kryekëput dështime të shtetit shqiptar, ashtu sikurse qe prerja e pyjeve menjëherë pas rënies së komunizmit.

Përgjegjësia e dytë, por jo më e vogël, është ajo e ne qytetarëve me mosangazhimin tonë, me pandjeshmërinë tonë, pothuajse totale ndaj natyrës si një e mirë dhe pasuri e përbashkët. Natyra është shtëpia jonë e përbashkët na kujton Papa Françesku. E duam natyrën vetëm kur na freskon apo na ngroh, por jo kur na duhet ta mbrojmë atë. Për vite me rradhë, qysh me rënien e komunizmit me natyrën është abuzuar.

Krahas korrupsionit shtetëror është shtuar edhe papërgjegjshmëria dhe formimi i ulët qytetar. Duhet së pari ta ruajmë e më pas të denoncojmë abuzimet me natyrën, duke çuar në vëmendjen e autoriteteve abuzuesit e duke protestuar kur abuzesi është vetë shteti me hallkat e tij të korruptuara. Është koha e një veprimi dhe reflektimi serioz, shkruan ai.

Kryeministri i Greqisë Micotaqis, u ka kërkoi ndjesë qytetarëve të tij për dobësitë e treguara nga shteti dhe forcat zjarrfikëse për shuarje e qindra vatrave të zjarrit që prej javësh po djegin mijëra ha tokë. 

Po Rama?