Murrizi e paditi në SPAK, Panariti: Padia më unike në botë, korrigjo shënjestrën e opozitarizmit
Edmond Panariti ka reaguar pas padisë në SPAK nga deputeti Myslim Murrizi për dy tendera të zhvilluar nga Ministria e Bujqësisë në periudhën që drejtohej nga ai.
Përmes një statusi në Facebook, Panariti i ka mohuar akuzat duke e cilësuar si padinë më unike në botë, pasi kallëzimi penal është bërë për diçka që nuk ka ndodhur kurrë.
Sipas drejtorit të Kabinetit të Presidentit të Republikës nuk ka pasur, dhe nuk ka tender të organizuar nga Ministria e Bujqësisë për sistem të vaditjes me ujë të lumit Shkumbin për Bashkinë e Divjakës.
Teksa e cilëson qesharake këtë padi pa objekt, Panariti e këshillon Murrizin që të ndryshojë shënjestrën e opozitarizmit të tij.
Postimi i plotë i Panaritit:
"Korrigjo shënjestrën e opozitarizmit Z. Murrizi!
U njoha me padinë më unike në botë ndaj Ministrisë së Bujqësisë të kryer nga opozitari i opozitës Murrizi .
Padi për diçka që nuk ka ndodhur kurrë !
Pra një padi për diçka që nuk ekziston!
Sepse nuk ka patur, dhe nuk ka tender të organizuar nga Ministria e Bujqësisë për sistem të vaditjes me pika me ujë të lumit Shkumbin për Bashkinë e Divjakës, siç deklaron prej kohësh paditësi opozitar i opozitës!
Nuk ka!
Kjo është lehtësisht e verifikueshme
Pra është qesharake të paditësh pa objekt padije.
I vetmi investim madhor i realizuar në Sistemin Kombetar të Vaditjes , ka qenë ai i Bankës Botërore, i kryer për infrastrukturën e digave dhe të kanaleve të para dhe të dyta të vaditjes.
Një ndër ndërhyrjet më të suksesëshme në sistem.
Dorëzuar me çelsa në dorë me funksione të plota vaditjeje, Bashkive përfituese që prej afër 5 vitesh .
Prandaj korrigjo shënjestrën e opozitarizmit tënd zoti Murrizi!
Kaq."
Ndërkohë edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu ka reaguar lidhur me padinë e sotme të deputetit Murrizi.
Përmes rrjeteve sociale ku dhe ka publikuar dokumentet e projektit të Bankës Botërore thekson se nuk ka asnjë projekt të vaditjes me pika në bashkinë e Divjakës, që të furnizohet me ujë nga lumi Shkumbin.
“Ka vetëm një projekt të Bankës Botërore, të cilin për të qenë korrekt, po ia bashkëngjis këtij statusi. Ky projekt për të cilin jam krenar që e kemi udhëhequr bashkë me z. Panariti, ka 2 rekorde, që besoj do te duhen kohë që të thyhen, pavarësisht se do uroja të thyheshin sa më shpejt.
1. Është kursyer nga prokurimet 11% e vlerës së projektit, rreth 3 milion e 884 mije EURO.
( e kuptoj që për ata që të kanë shtyrë për të bërë padinë është e pakuptueshme)
2. Është projekti i vetëm pas viteve '90 në fushën e bujqësisë, ku donatori propozon shtesë projekti rreth 20 milion EURO, për shkak të performancës së lartë.( ata që merren me projekte e kuptojnë mirë, se për ty kam dyshime që e kupton)
Projekti është marrë në dorëzim nga bashkitë përkatëse”, shprehet ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu, ndërsa shton se lidhur me lopët Murrizi duhet të pyesë më mirë se si qëndron e vërteta e zbatimit të procedurës ligjore të prokurorimit.
