Manjani zbulon hilen e qeverisë, s'kursen ambasadën USA: Eshtë kthyer në dyqan “suksesesh imagjinare”

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Rama 1”, Ylli Manjani përmes një postimi në facebook lë të kuptojë se sa  herë qeveria e hedh topin tek drejtësia, e ka me hile, minimalisht kërkon të fshehë përjegjësinë e saj në situatën e korrupsionit në vend.

Në çdo shoqëri me shtet korrupsionin si fenomen e lufton vetëm qeverisja e mirë, ndërsa drejtësia e pavarur ndëshkon me prova e proçes të rregullt individët. Por nuk ndodh kështu në Shqipëri në mjedis nuk ka më kufinj ku fillon e ku mbaron korrupsioni… "

Manjani në komentin e tij në facebook nuk lë pa thumbur as ambasadën amerikane për të cilën shkruan se është bërë si dyqan “suksesesh imagjinare”?!

Postimi i plote 

Në çdo shoqëri me shtet, ku mendohet dhe veprohet seriozisht, korrupsionin si fenomen e lufton vetëm qeverisja e mirë, legjitime, transparente e llogaridhënëse.

Ndërsa drejtësia e pavarur ndëshkon me prova e proçes të rregullt individët. Drejtësia nuk lufton dot fenomene, por individët që kryejnë krime.

Kështu është gjithandej në normalitet. Edhe në Amerikë kështu është.

Në shoqëri anormale, ku punët e shtetit i kryen pushteti njerëzit fillojnë të besojë se drejtësia do bëjë edhe punën e qeverisë…

Mirëpo kjo nuk arrihet kurrë, edhe sikur drejtësia të jetë vërtetë e pavarur dhe të gjykojë me proçes të rregullt.
Nuk ka drejtësi që të zëvendësojë qeverisjen e mirë. Ajo mund të kontribuojë në qeverisjen e mirë, por nuk e zëvendëson dot.

Sa herë qeveria e hedh topin tek drejtësia e ka me hile! Minimalisht kërkon të fshehë përjegjësinë e saj.

Maksimalisht një qeveri e tillë, pra që kërkon hesap drejtësisë, nuk jep por kërkon llogari.

Një qeveri e tillë është e dizenjuar të të marrë paranë, pasurinë edhe shpirtin…!!!

Në këtë mjedis korrupsioni veç lulzon dhe ska asnjë shans të luftohet. Mund ta hajë ndonjë individ, por fenomeni vijon. Individë të tjerë vijojnë aty ku e la Ai/Ajo…

Në mjedis nuk ka më kufinj ku fillon e ku mbaron korrupsioni… Në një mjedis të tillë një arkë peshk apo një shkëmbim dhuratash midis shoqesh quhet korrupsion, ndërsa një kontratë konçensioni quhet qeverisje!!!

Prandaj pushtetet janë ndarë. Qëllimi është të ndahet përgjegjësia e individit nga përgjegjegjësia për fenomenin. Të dyja përgjegjësitë lidhen diku, por nuk janë e njëjtja gjë.

Por kujt t’ja thuash këtë gjë tashmë? Qeverisjes së papërgjegjshme apo ambasadës që pa asnjë lidhje me misionin e saj diplomatik, është bërë si dyqan “suksesesh imagjinare”?!