Kush do e hapë kuvendin në shtator? Deputetët më të moshuar janë: Bozo, Berisha dhe Shehu

Sipas Rregullores së Kuvendit, deputeti në moshën më të madhe drejton seancën e parë plenare në fillimin e legjislaturës.

Aktualisht, sipas të dhënave të përpunuara nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP), nga deputetët e zgjedhur Luljeta Bozo pritet të jetë deputetja në moshën më të madhe (datëlindja 1943), ndjekur nga Sali Berisha (datëlindja 1944) dhe i treti për nga mosha është Tritan Shehu 72 vjeç.

Në total 18 deputetë janë mbi moshën 60 vjeç, shumica prej tyre me përvojë të gjatë parlamentare, ndërkohë që vetëm dy deputetë do të jenë nën 30 vjeç, të dy prurje të reja politike.

Për informacion, kryeministri Rama i përket ditëlindjes 1964, ndërsa kryetari i PD Basha ditëlindjes 1974.

Por nisur nga përcaktimet në Rregulloren e Kuvendit, është deputeti më i madh në moshë ai që drejton seancën inaguruese të Parlamentit, që në këtë rast është Luljeta Bozo.

Nëse vetë deputetja e PS-së e refuzon këtë rol, patëherë radha i kalon Sali Berishës.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Berisha, edhe në dy legjislaturat e mëparshme e ka refuzuar një detyrë të tillë honorifike, duke ia liruar vendin deputetit pasardhës për nga mosha.

Nisur nga këto, alternativa për të marrë fjalën i pari në Kuvendin e shtatorit është ajo e deputetit demokrat Tritan Shehu, i cili renditet i treti për nga mosha e deputetëve që do të hyjnë në Parlament.