Pika turistike e Viroit në Gjirokastër humbet turistët për shkak të thatësirës së liqenit
Parku Natyror i Viroit, një nga pikat turistike më të frekuentuara nga turistët, ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Specialistët e mjedisit thonë se tharja e liqenit është një fenomen i përsëritur çdo verë, ndërsa vizitorët e paktë që mund të gjesh aty, kërkojnë reagimin e institucioneve.
Tharja e liqenit në Parkun Natyror të Viroit ka ulur ndjeshëm vizitat ne një ndër pikat më të frekuentuara nga banorët e zonës së Gjirokastrës dhe grupet turistike.
Për specialistët e mjedisit ky është një fenomen natyror që përsëritet çdo verë, duke dëmtuar florën dhe faunën e zonës.
Megjithë premtimet e kryebashkiakut, Flamur Golemi, edhe këtë vit nuk është bërë asnjë ndërhyrje për të shpëtuar liqenin.
"Duhet punuar në mirëmnbatjen dhe pastrimin, stolat që janë të kalbur. Edhe mungesa e ujit është problem por u mësuam tashmë."
Pika turistike ndodhet vetëm 3 km në veriperëndim të qytetit, anës rrugës kombëtare Tepelenë-Gjirokastër.
Ky liqen natyror prej 17.5 hektarësh, i rrethuar nga drurë e lëndina e bëjnë zonën një nga pikat më tërheqëse pasi zona ka resurse natyrore, bimë mjekësore dekorative e aromatike.
Në Parkun Natyror të Viroit evidentohen gjithashtu rreth 250 lloje bimesh dhe 72 specie shtazore.
Në vitin 1982 Viroi mori statusin e një pike turistike dhe më pas u kthye në një park lokal.

