"Deti" në Dhërmi për 30 vite me pronar, qeveria i jep lejen e shfrytëzimit biznesmenit Ilir Trebicka

Për 30 vitet e ardhshme, me vendim të Këshillit të Ministrave bregdeti i Dhërmiut do të ketë një pronar. Leja ndërtimore e firmosur nga Erion Braçe në mungesë të kryeministrit Rama i është dhënë  biznesmenit Ilir Trebicka në funksion të projektit “Hotel Chaonians DeLuxe”.

Në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Ministrave është miratuar edhe leja e shfrytëzimit për 30 vite të një pjese të bregdetit të Dërmiut në Himarë. 

Qeveria në mbledhjen e së premtes i ka dhënë biznesmenit Ilir Trebicka lejen e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Hotel Chaonians DeLuxe”, Dhërmi, Himarë.

Ky kompleks me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, përfitoi 5 muaj më parë statusin e “Investimit Strategjik”.

Sipas VKM-së, të firmosur nga Erjon Braçe në mungesë të kryeministrit Edi Rama, afati për përdorimin e brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, do të jetë 30 (tridhjetë) vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Përdorimi i brigjeve dhe i zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit “Hotel Chaonians DeLuxe” do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror, të përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për turizmin, përkundrejt pagesës së tarifës, në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë.