Lushnje: Vetëdorëzohet në polici i kërkuari për vrasjen e kushëririt

Vetëdorëzohet në polici i kërkuari për vrasjen e kushëririt të tij dhe plagosjen e babait dhe dy vëllezërve të viktimës.

Vrasja ndodhi pas një sherri me armë për pronësinë e tokës në fshatin Garunjas të Lushnjes më 29 korrik 2021.

Në ndërmjetësimin për dorëzimin e tij ndihmoi edhe drejtori i policisë së qarkut Fier, Ferdinand Mara.

Kastriot Hasalla ndodhet në komisariatin e policisë së Lushnjes.

Vrasja per pronen

Dy vëllezërit, Kastriot e Afrim Hasalla, 31 dhe 33 vjeç, qëlluan me armë gjahu kushërintë e  tyre Shaip Hasalla 65 vjeç, dhe tre djemtë e tij Romeo, Emiliano dhe Leart Hasalla 30, 31 dhe 33 vjeç.

Si pasojë e të shtënave mbeti i vdekur Romeo Hasalla, ndërsa babai i tij dhe dy vëllezërit janë plagosur rëndë dhe janë dërguar në spital.

Të dy familjet mësohet kanë pasur konflikt pronësie prej kohësh, ndërsa pak ditë më parë mes tyre ka pasur edhe debate verbale.

Në orët e para të mëngjesit të 29 korrikut Shaip Hasalla së bashku me djemtë e tij kanë shkuar për të punuar tokën që e kishin të mbjellë me ullinj, ndërsa atje kanë qenë duke i pritur dy vëllezërit të cilët ishin të armatosur dhe kanë qëlluar mbi kushërinjtë e tyre.

Plumbat e armës së gjahut i morën jetën në vend Romeo Hasallës, i cili kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Greqia.

Të arrestuar për këtë vrasje janë dhe Afrim Hasalla 42-vjeç, vëllai i të vetëdorëzuarit dhe 20 vjeçari me iniciale Mario, djali i Afrimit.