Apeli lë në burg Fatos Tushen, ish-kryebashkiaku mohoi të ketë lidhje me tenderin
Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën për lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjes dhe ish-zyrtarëve të tjerë të arrestuar me urdhër të SPAK për abuzime me tendera. Pavarësisht pretendimeve nga i pandehuri kryesor për probleme shëndetësore, prokuroria ishte kundër lirimit të Fatos Tushes, duke kërkuar mbajtjen e tij në qeli, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën për lirimin nga qelia të ish-kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe.
Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar të ndryshojë masën e sigurisë për të dhe për 6 të pandehurit e tjerë, ish-zyrtarë të kësaj Bashkie, të akuzuar për abuzim me tendera.
I pranishëm në seancë, ish-kryebashkiaku ka mohuar akuzat e prokurorisë.
Ai ka pranuar njohjen me biznesmenin Ibrahim Lami, po ka pretenduar se nuk ka lidhje me tenderin dhe as ka ndikuar në përcaktimin e rezultatit të fituesit të tenderit.
Së bashku me Tushen në qeli mbetën edhe dy biznesmenët Ibrahim Lami dhe Bujar Murati.
Të pandryshuara masat mbetën edhe për ish-vartësit e Tushes të dyshuar për shpërdorim detyre, favorizim në tenderat dhe tjetërsim të pronës publike.
Tushe pretendoi gjithashtu se kishte disa sëmundje dhe se sipas mjekut nuk duhet të qëndrojë në ambiente të mbyllura.
Ai paraqiti raporte se vuan edhe nga zemra, diabeti dhe sëmundje te tjera.
Por prokurorja e çështjes, Manjola Kajana, kërkoi të mbetej e pandryshuar masa kërkesë që u pranua edhe nga gjykata.
Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Ky tender është fituar nga një kompani EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet dhe fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami.
Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati dhe në fund paratë i ndanin bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij.
Tushe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama për shkak të abuzimeve në të cilat ai ishte përfshirë dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë "arrest në burg".

