"U dhashë videot e operacionit", gazetari dëshmon në prokurori për incidentin, SHÇBA merr në pyetje efektivët

Gazetari i News24, Ergys Gjençaj, i cili u ndalua dhunshëm një ditë më parë nga Forcat Speciale ndërsa ishin në operacion, është sot thirrur në prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar rreth asaj që ndodhi.

Gjençaj tha se ka dhënë dëshminë e tij dhe bëri apel që institucionet e drejtësisë të zbardhin ngjarjen.

"Kreva detyrën time, dhash dëshminë duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes po ashtu dhash edhe dy videot e regjistruara nga aparati im celular dhe apeloj që institucionet e drejtësisë të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe të vendosin drejtës" tha ai pas daljes nga prokuroria.


Ndërkohë një hetim është hapur dhe nga SHÇBA, i cili ka marrë në pyetje 5 efektivët e policisë që u përfshinë në këtë incident.

Pas dështimit për prangosjen e një personi të dyshuar për vepra kriminale dhe arratisjes së tij nga vendngjarja, duke çarë rrethimin e policisë me makinë, policët sulmuan gazetarin e “News 24” që po filmonte ngjarjen.

Pavarësisht se ai u identifikua si gazetar, Gjençaj u detyrua të shtrihet barkas me duart pas koke dhe më pas u mbajt i rrethuar nga policët për rreth një orë.

Kjo ngjarje nxiti reagime të forta të shoqatave ndërkombëtare dhe vendase të medias si dhe të klasës politike në vend, të cilët dënuan me forcë aktin e përsëritur të policisë ndaj përfaqësuesve të medias.