Me instragram mashtronte qytetarët, u premtonte licencë për farmacist kundrejt parave
Një 31 vjeçare është arrestuar pasi akuzohet se ka mashtruar shumë qytetarë, nëpërmjet mesazheve në instagram, për përfitimin e licencës së farmacistit.
Arrestimi u kryenë momentin e marrjes së shumës 10.000 euro, nga disa qytetarë që i kishte mashtruar, informon policia e shtetit.
S. K., 31 vjeçe, banuese në Kavajë u premtonte nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit kundrejt një shpërblimi financiar.
“Në bazë të hetimeve të kryera, u bë e mundur që kjo shtetase të kapej në flagrancë nga Policia, në rrugën "Josif Budo", në Kavajë, duke marrë shumën prej 10.000 euro, pasi kishte mashtruar disa shtetas, nëpërmjet komunikimeve në rrjetin social instagram, me adresa false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit. “
Nga hetimet e kryera rezultoi se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit dhe veprimeve të saj, ka arritur të përfitojë në total 16.000 euro.
Gjithashtu, nga këqyrja e telefonit të saj janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë dëmtuar nga ky aktivitet.
Operacioni u kodua “ Premtimi I rremë”.