“Korrupsioni largoi investimet”, PD: Raporti i DASH konfirmon se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në Europë

Deputetja e Zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se  raporti i DASh, konfirmoi se qeveria e Edi Ramës është qeveria me e korruptuar në Europë. Sipas saj, vetëm një shtet i çliruar nga oligarkia ekonomike mund të ofrojë një ekonomi tregu. 

Partia Demokratike thotë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e binzesit konfirmon se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në Europë.

Jorida Tabaku, tha se korrupsioni dhe klientelizmi ka bërë që në vendin tonë të mos ketë asnjë investim serioz të huaj.

"Rritja e informalitetit që është kthyer në rrezik dhe problem për bizneset vendase dhe investitorët e SHBA. Sipas raportit gati mbi 40% e sektorit ekonomik të vendit është në informalitet të plotë.

Korrupsioni endemik që ka minuar dhe minon Sundimin e Ligjit dhe pengon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Të drejtat e pronësisë nuk janë plotësisht të garantueshme ndërkohë që procesi i kompensimit është i paplotë dhe inefiçent.

Grupet e biznesit shqetësohen se nuk janë palë dhe as dëgjohen në konsultime publike në lidhje ligjet. Investitorët ankohen se ka konkurrencë të pa barabartë dhe monopole të krijuara me qëllim për të penguar tregun e lirë. Shqipëria ka standardet më të ulëta të transparencës fiskale".

Deputetja e zgjedhur, Jorida Tabaku,  tha se PD është në betejë për të çliruar ekonominë nga korrupsioni dhe për një qeveri që punon për njerëzit.

"Ne jemi të qartë se vetëm vizioni i një ekonomie të lirë  që një qeverisje për qytetarët dhe sipërmarrësit.Fatkeqësisht sot lufta ndaj korrupsionit është propaganda e ditës, ndërkohë që parlamenti vazhdon miraton ligje specifike me emra biznesesh e kontrata korruptive".

Për Partinë Demokratike, tha Tabaku, lufta ndaj korrupsionit fillon me ekonominë e lirë dhe konkurrencën e ndershme. 

Partia Demokratike sipas saj  është e bindur që vetëm një shtet i çliruar nga oligarkia ekonomike mund të ofrojë një ekonomi tregu.