Fieraku i kërkuar për kultivim kanabisi ishte fshehur në Berat, arrestohet bashkë me qiradhënësin

Policia e Beratit ka arrestuar një 55-vjeçar të shpallur në kërkim për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". 

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore për vendndodhjen e tij, policia ka organizuar punën duke vënë në pranga shtetasin L.(B). S., banues në Fier.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike.

Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e policisë arrestuan në flagrancë shtetasin A. O., 58 vjeç, banues në lagjen "Kushtrim", Berat, pasi ka ndihmuar shtetasin L.(B). S., duke i vendosur në dispozicion banesën e tij, kundrejt pagesës.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.