Radari kapi Ferrarin me 231 km/ h në Bypassin e Fierit, ku dje humbi jetën 19 vjeçarja, një u plagos
Një shtetas polak u arrestua në Fier pasi është kapur duke drejtuar makinën me targa gjermane me shpejtësi 231 km/h. Veç tejkalimit të shpejtësisë polaku është kapur në disa shkelje të tjera edhe penale. Në të njëjtin aks, një 19-vjeçare ka humbur jetën pasi makina që ajo drejtonte ka dalë nga rruga.
Drejtuesi i kësaj makine luksoze po lëvizte në by-passin e Fierit me 231 kilometra në orë, kur u regjistrua nga radari i policisë.
Automjeti tip "Ferrari" me targa gjermane drejtohej nga shtetasi T. S., 50 vjeç, nga Polonia, i cili përveç se po lëvizte me një shpejtësi 3 herë më të lartë sesa norma e lejuar, u konstatua me një sërë shkeljesh të tjera jo vetëm rrugore por edhe penale.
Nga verifikimet e kryera nga policia, në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se automjeti është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni.
Edhe leja e drejtimit që shtetasi polak i paraqiti punonjësve të Policisë, rezultoi se ishte e falsifikuar.
Duke u nisur nga karakteri i shkeljeve, Policia e Fierit vuri në pranga 50-vjeçarin nga Polonia, ndërsa akuzat që rëndojnë mbi të janë "Përdorimi i dokumenteve të falsifikuara" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve".
Veç arrestimit, ndaj drejtuesit të Ferrarit u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni.
Në by-passin e Fierit mbrëmjen e së martës një aksidet rrugor i mori jetën 19-vjeçares Xhesika Mjekra, ndërkohë që u plagos rëndë 21-vjeçari Sabri Xherimeja, pasi makina të cilën e drejtonte e reja doli nga rruga për shkaqe ende të panjohura.
Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 në Shqipëri kanë humbur jetën 105 persona në aksidente rrugore, 17 prej tyre janë në Fier.
