Betonieret i zënë frymën Tiranës
Edhe pse ligji e kufizon qartësisht lëvizjen e tyre në qendrat e banuara, betonieret dhe mjetet e rënda të ndërtimit lëvizin përgjatë gjithë ditës në tiranë të pa shqetësuara nga policia apo autoritetet e mbrojtjes së mjedisit. Qytetarët përballen me ndotje dhe trafik të rënduar ndërsa thonë se kjo situatë lë një imazh të keq edhe tek vizitorët e huaj të cilët shikojnë një kryeqytet ku ndërtohet më shumë sesa jetohet.
Nuk ka rëndësi nëse është mëngjes, drekë apo pasdite, pavarësisht orarit në shumë rrugë të kryeqytetit sheh me dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë të cilat shkaktojnë trafik.
Madje mjete të tilla qarkullojnë në mes të ditës edhe në qendër të Tiranës, edhe pse ligji e ndalon.
Edhe pse ka një orar të kufizuar qartë nga legjislacioni në fuqi për lëvizjen e mjeteve të tilla, policia rrugore duket inekzistente, pasi kudo në rrugët e kryeqytetit sheh mjete të tilla që krijojnë ndotje dhe trafik.
Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në kryeqytet duket se janë ata që preken direkt nga kjo situatë.
Zhurma dhe ndotja e ajrit nga mjetet e tonazhit të rëndë është kthyer në makthin e përditshëm për banorët e Tiranës.
Qarkullimi i mjeteve të rënda edhe përgjatë ditës thonë qytetarët krijon një imazh të keq edhe te turistët të cilët përballen me tablonë e një vendi ku ndërtohet më shumë sesa jetohet.
