“Godisni krimin pa mëshirë” Ambasadorja e SHBA apel agjencive ligjzbatuese: Tregohuni të zgjuar!

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka nxitur institucionet shqiptare të tregohen të zgjuara dhe ti japin krimit goditje të pamëshirshme. Gjatë dhurimit të disa pajisjeve për policinë e shtetit në kuadër të forcimit të sigurisë kufitare, Kim ka vlerësuar luftën e Shqipërisë kundër trafiqeve ndërsa tha se ndihma e dhënë nga SHBA po jep rezultate përfshirë edhe arrestimet e fundit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Juri Kim, nga Kakavija ka nxitur agjencitë ligjzbatuese në vend duke kërkuar që ato të godasin pa mëshirë krimin, por edhe të veprojnë me zgjuarsi në këtë drejtim.

Yuri Kim: Duhet të jemi pak më të zgjuar dhe më të pamëshirshëm. I nxisim agjencitë të punojnë krah për krah kundër trafikimit të paligjshëm dhe formave të tjera të krimit.

Diplomatja mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve nga qeveria amerikane për Policinë e Shtetit në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufiri.

Yuri Kim tha se ndihma e dhënë nga SHBA për autoritetet ligjzbatuese shqiptare po jep rezultate duke përmendur arrestimet e fundit.

Yuri Kim: Arrestimet e fundit në kufi janë tregues i mirë që pajisjet që kemi dhuruar janë efikase. Trafikimi i armëve, tregtinë e narkotikëve drejtohen nga element kriminalë të zgjuar dhe të pamëshirshëm.

Ambasadorja tha se kufijtë e sigurt nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe Greqinë por edhe për paqen globale.

Yuri Kim: Kufijtë e sigurt nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe fqinjët e saj por edhe për sigurinë globale që përfshin edhe SHBA. I nxisim të gjitha agjencitë që të punojnë krah për krah për trafiqet e paligjshme. SHBA do vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tuaja krah për krah në luftën kundër terrorizmit.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve ishin edhe Ministri Blendi Çuçi, dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri e cila tha se Bashkëpunimi me Shqipërinë do të forcohet edhe më tej kur të ngrihet një qendër bashkëpunimi dhe shkëmbim informacioni në kohë reale.