Kulla bllokon rrugën në Tiranë, ankohen qytetarët: Pa trotuare, jemi të rrezikuar nga aksidentet
Zënia e hapësirave publike është kthyer në një fenomen shqetësues në Tiranë ndërkohë që një rast flagrant po ndodh në rrugën Ibrahim Rrugova. Sheshi i ndërtimit ka zënë jo vetëm trotuarin por edhe gjysmën e rrugës duke e kthyer atë një një kalimshe. Kjo ka bërë që këmbësorët të ndihen të rrezikuar pasi detyrohen të kalojnë në të njëjtën hapësirë ku lëvizin edhe automjetet.
Zgjerimi i sipërfaqeve të ndërtimit dhe kullat për të cilat është dhënë leje në Tiranë po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat publike.
Shkelja e standardeve dhe miratimi i lejeve jashtë çdo kriteri mbi distancat urbane vë në rrezik qytetarët që nuk kanë ku të kalojnë në trotuare.
Por ka edhe raste si ky objekt në ndërtim që sa vjen dhe ngrihet ndodhet në rrugën Ibrahim rrugova duke zënë jo vetëm trotuarin, por edhe rrugën.
Pa një projekt për datën e nisjes dhe përfundimit të punimeve, sheshi i ndërtimit në fjalë ka zënë njërin sens të lëvizjes së mjeteve duke e kthyer rrugën në një kalimshe.
Përkundër show-ve mediatike të kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, Erion Veliaj, për çlirimin e hapësirave publike nga zaptuesit e paligjshëm, zënia e këtyre hapësirave vijon të jetë problem shqetësues i banorëve.
Qytetarët kërkojnë ti jepet fund zënies së hapësirave publike të cilat ndikojnë jo vetëm në cilësinë e jetës por edhe në sigurinë e qytetarëve.
"Shumë e rrezikshme, trotuarët duhet të jenë të lirshëm. Kryebashkiaku punon shumë keq. E ka betonizuar Tiranës dhe ka rritur ujin e gjithë taksat."
"Shumë e rrezikshme është, duhet të lirohen.''
"Po e rrezikshme është se ke frikë se të kap ndonjë makinë."
"Nuk është normale, se po na marrin lekë edhe për të kaluar. Shumë keq, bashkia po fle gjumë."

