Rëndohet akuza ndaj kreut të IMT, Prokuroria: Mariglen Qato lejoi kat shtesë në pallatin e dëmtuar nga tërmeti i 2019

Kryeinspektori i mbrojtjes së territorit në bashkinë e Tiranës Mariglen Qato për të cilin u kërkua masa arrest me burg javën e kaluar, akuzohet se ka lejuar ndërtimin e një kati shtesë në një pallat 5-katësh të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

Ky fakt evidentohet në dosjen e prokurorisë së Tiranës me akuzat për “shpërdorim detyre” ndaj zyrtarit të lartë të bashkisë së Tiranës dhe dy vartësve të tij.

Megjithëse gjykatësi që shqyrtoi kërkesën e prokurorisë vendosi mospranimin e masës “arrest me burg” dhe lënien në detyrim paraqitje, prokuroria thotë në dosje se ekzistojnë shkaqe dhe rrethana që shtetasit Mariglen Qato, dhe inspektorët Leandro Lamani dhe Adrian Caushaj, mund të largohen për t'iu shmangur përgjegjësisë penale.

 “Pavarësisht se ishin në dijeni të këtij ndërtimi, ishin në dijeni të veprimeve të policise gjyqësore, te cilet edhe i kanë njoftuar zyrtarisht për ndërtimin pa leje, ata kanë lejuar ndërtimin e kundërligishem, si kat shtesë, sipër një pallati pronë publike, në bashkëpronësi të banorëve megjithëse ky pallat ishte i dëmtuar nga tërmeti i muajit Nëntor 2019" Thuhet në dokumentin e prokurorisë


 Konkretisht në dosje thuhet se pallati me numër 140 në rrugën "Haxhi Kika", ne kompleksin "Ndertim Vila", në tarracën e të cilit është bërë ndërtimi ishte përcaktuar nga ekspertët, si objekt me dëmtime mesatare serioze nga termeti i vitit 2019.

Organi i akuzës bën të ditur se kryeinspektori dhe inspektoret e IMT-së, ndonëse kanë qenë në dijeni për ndërtimin e kundraligjshëm, kanë kryer veprime formale, duke mos marrë asnjë masë. Edhe pse ndërtimi i kundraligjshëm ishte i qartë, i dukshem, K/lnspektori ka ndërmarrë masa administrative të lehta në vendosjen e gjobës në shumen 300 000 leke dhe në vijim nuk është kryer asnjë procedure për ekzekutimin e kësaj gjobe, megjithëse është titull ekzekutiv.

Sipas prokurorisë Kryeionspektori Mariglen Qato dhe inspektoret, nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit dhe kanë vepruar në kundërshtim të nenit 13, ku parashikohet se vendimi i pezullimit të punimeve shoqërohet me vendimin me gjobë dhe kur është rasti bëhet kallezim penal si dhe kërkohet heqja e lejes apo licensës të subjektit kundravajtjes, ndërsa në rastin konkret nuk është kryer asnjë veprim, edhe pse njëri nga personat që ka kryer shtesën pa leje në pallatin 5-katësh ishte i regjistruar pranë Bashkisë Tiranë  pikërisht si administrator i pallatit ku është bërë ndërtimi i kundërligjshëm, ndërsa vellai i tij, ishte i regjistruar si person fizik, si arkitekt.