Të dytët pas Ukrainës, BE refuzoi 13 mijë e 300 shqiptarë, Eurostat: 23 mijë u “larguan me forcë”

Vendet e Bashkimit Evropian kanë refuzuar hyrjen në territorin e BE, të 13 mijë e 300 shqiptarë gjatë vitit 2020 duke u renditur kështu të dytët në botë pas ukrainasve. Sipas raportit të Eurostat i lartë raportohet edhe numri i shqiptarëve që u urdhëruan të largohen nga BE, me 23 mijë e 200 të tillë. Pavarësisht këtyre vetëm 9 mijë e 800 persona rezultojnë që janë kthyer në vendin tonë gjatë vitit të pandemisë ndërkohë që më shumë se 40 për qind e të anketuarve kanë pranuar se duan të largohen.

Shqiptarët renditen të dytët në botë për vendimet e refuzimit të hyrjes në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2020.

Sipas raportit të Eurostat, për periudhën në fjalë 13 mijë e 300 shtetas shqiptarë nuk u pranuan në territoret e BE-së, duke lënë pas vetëm Ukrainën me 56 mijë e 400 përgjigje negative.

Gjatë vitit të pandemisë u refuzuan në total 137 mijë e 800 shtetas jo anëtarë të BE-së ndërkohë që u konstatua se ishin 557 mijë e 700 persona që qëndronin në mënyrë ilegale në shtetet anëtare.

I lartë raportohet nga Eurostat edhe numri i shqiptarëve që u urdhëruan të largohen, me 23 mijë e 200 të tillë dhe duke i renditur kështu të tretët në botë.

Në vend të parë për vitin e kaluar qëndrojnë algjerianët me 34 mijë persona, pasuar nga market me 33 mijë e 600 urdhra për largime.

Pavarësisht refuzimeve dhe kërkesës së shteteve anëtare të BE-së për t’u larguar vetëm 9 mijë e 800 prej tyre janë bindur duke u kthyer në atdhe, raporton Eurostat.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2020, edhe pse në kushtet e kufizimeve ekstreme në lëvizje nga pandemia Covid-19 u larguan nga vendi 23 mijë e 854 persona dhe u rikthyen vetëm 7171 persona.

Edhe më 2021. shqiptarët rezultuan me përqindjen më të lartë të dëshirës për të jetuar e për të punuar jashtë vendit, në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, sipas Anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Sipas rezultateve, 46% e të anketuarve në Shqipëri po konsiderojnë të largohen nga vendi duke shënuar kështu përqindjen më të lartë në Rajon.