I dënuar për trafik droge, ekstradohet nga Greqia drejt Shqipërisë 53-vjeçari nga Gjirokastra
Ekstradohet nga Greqia, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana ka ekstraduar nga vendi ynë fqinj shtetasin shqiptar me iniciale Ç. B., 53 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky person ishte shpallur në kërkim në bazë të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila në vitin 2017 i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike".
Ai në bashkëpunim me shtetas të tjerë, bënte furnizimin me lëndë narkotike në Lazarat, me qëllim trafikimi drejt Italisë.
''Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit janë marrë informacione nga Interpol Athina, se ky shtetas po vuante dënimin në një burg në Greqi, për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike”, caktuar nga Gjykata e Janinës, me vendimin e datës 14.09.2018. Në përfundim të vuajtjes së dënimit u bë arrestimi provizor i shtetasit Ç. B., me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën u bë i mundur ekstradimi i tij nga Greqia drejt vendit tonë.'' - njofton policia.
