Rrugët "vrasin" 105 persona, INSTAT: Në 6 muaj 875 aksidente, shumica në Tiranë

105 persona kanë humbur jetën nga aksidentet ne gjashtë muajt e parë të vitit. Në të shumtën e rasteve përgjegjës janë drejtuesit e automjeteve. Kryeqyteti renditet në krye të listës për numrin e lartë të goditjeve të regjistruara, ndërkohë që më i ulëti është shënuar në Shkodër.

Aksidentet rrugore në Shqipëri vijnë në rritje. Fakti dëshmohet edhe në 6 muajt që lamë pas.

Të dhënat më të fundit të INSTAT, konfirmojmë se goditjet kanë rezultuar fatale për 105 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë numërohen 31 jetë të humbura më shumë.

Nga janari në qershor janë regjistruar 671 aksidente me një rritje prej 32.9% krahasuar me vitin 2020. Vetëm në qershor, kanë humbur jetën 15 persona si pasojë e goditjeve.

Në këtë periudhë janë shënuar 124 aksidente nga 115 që numëroheshin në gjashtëmujorin e parë të 2020-ës.

Kryeqyteti, i cili ka dhe fluksin më të madh të lëvizjes, vijon të qëndrojë në krye të listës si zona më problematike në lidhje me këtë situatë, ku janë regjistruar 302 aksidente dhe 22 viktima.

Pas Tiranës qëndrojnë Lezha, Fieri dhe Durrësi, ndërkohë që Shkodra ka shënuar numrin më të ulët të aksidenteve rrugore.

Shqetësuese vijon të mbetet sjellja e drejtuesve të mjetit pasi gjatë muajit që lamë pas 86.3% e rasteve kanë ndodhur për këtë shkak.

Drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç kanë regjistruar 181 goditje gjatë muajve janar-qershor me një rritje prej rreth 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport konstatohet se është shënuar gjithashtu rritje e numrit të aksidenteve si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.