Zhupa: Qeveria në shërbim të inceneratorit fantazëm të Tiranës, SPAK të mos vonojë hetimet
Mirel Mertiri i cili ka paditur për inceneratorin e Tiranës, ka munguar në gjykatën e Tiranës, duke bërë që gjyqi të shtyhet për herën e tretë. Ina Zhupa i bëri thirrje SPAK të mos vonoje hetimet, ndërsa tha se qeveria i është vënë në shërbim duke i dhënë miliona euro inceneratorit për një punë që nuk e kryen.
Në një kohë kur SPAK, po mbyll hetimet për çështjen e inceneratorëve dhe do të dalë në një vendim, në gjykatën civile një tjetër çështje është në proces.
Mirel Mërtiri, ka paditur zyrtarët e PD-së Ina Zhupa dhe Belind Këllici, por edhe në seancën e tretë ai nuk është paraqitur në gjykatë për tu përballur me ta.
Demokratët i qëndrojnë akuzave, duke theksuar se qeveria është vënë në dispozicion të oligarkëve të inceneratorëve duke i dhënë atyre në mënyrë korruptive miliona dollarë nga buxheti i shtetit.
Zhupa: Në fakt, ne i qëndrojmë interesit publik. Ne i qëndrojmë deklaratave që inceneratori i Tiranës nuk ekziston, aty nuk kryhet djegie të mbetjeve të qytetit te Tiranës, ashtu siç është fjala “incenerator” apo kontrata publike që Bashkia Tiranë ka lidhur me inceneratorin e Tiranës. Qeveria “Rama” dhe gjithë strukturat e saj janë vënë, edhe sot që ne flasim, në shërbim të kalimit të parasë publike për llogari të inceneratorit të Tiranës dhe landfillit të Sharrës.
Edhe kriza e fundit mjedisore që u krijua në Durrës dhe në Kavajë duke lënë mbetjet rrugëve, sipas Zhupës vetëm këtë qellim kishte.
Zhupa: Kriza e fundit mjedisore që krijuan në Durrës dhe në Kavajë duke lënë mbetjet rrugëve, në mes të sezonit turistik, vetëm për të justifikuar atë që ne kishim paralajmëruar: dhënien e parave të tjera publike nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës dhe landfillin e Sharrës. Këto janë skema korruptive, skema që qeveria “Rama” i ka ndërtuar për të financuar këtë landfill. Ne kemi paguar deri tani 23 milionë euro nga taksat tona për inceneratorin e Tiranës i cili nuk ekziston.

