Kokainë e armë në Durrës, arrestohen 4 persona, dy prej tyre të dënuar për krime të rënda
Katër persona u arrestuan nga policia e Durrësit gjatë aksionit për sekuestrimin e një sasie prej 1 kilogram, kokainë. Dy prej të arrestuarve janë persona me precedent të theksuar kriminalë. Gjatë kontrollit në automjetin e shtetasve që po transportonin drogën policia gjeti edhe një armë zjarri ndërsa poseduesi i saj goditi me makinë mjetin e forcave të rendit dhe tentoi të sulmojë edhe efektivat pjesëmarrës në operacion.
Katër persona u arrestuan nga policia e Durrësit gjatë operacionit të koduar me emrin "Nënkalimi" me një sasi kokaine.
Të arrestuarit mësohet se janë Arjan Plaku, Edmond Gjyzeli, Ilir Peraj dhe Stavri Marku. Policia bëri të ditur se arrestimi i këtyre shtetasve u bë gjatë oepracionit ku sekuestruan 1 kg e 63 gramë lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri dhe municion luftarak.
Rreth orës 14:15, të së martës, në vendin e quajtur "nënkalimi i Urës së Dajlanit", policia ka ndaluar mjetin tip "BMW", që drejtohej nga Edmond Gjyzeli me pasagjer Arjan Plakun.
Gjatë kontrollit në pjesën e poshtme të sediljes, policët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës 1 kg e 63 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, Edmond Gjyzelit iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë.
Gjatë kryerjes së ndalimit ai ka goditur me makinën e tij automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.
Në vijim të operacionit agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit: Ilir Peraj, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje dhe “Mbajtje të ambienteve për prostitucion" dhe Stavri Marku, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Ilir Peraj sipas policisë është person me precedent penalë pasi në 26 shkurt të vitit 2011 së bashku me dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Elis dhe Elidon Peraj rrahën për vdekje me shkop bejsbolli Alban Kolecin.
Peraj në atë kohë u dënua me 10 vite burg ndërkohë që në vitin 2013 ai u arrestua në Rinas pasi gjykata e Napolit e kishte dënuar me 17 vite burg.
Peraj u arrestua përsëri 2015 dhe në 2016 për shfrytëzim prostitucioni. Pas këtyre precedentëve mbetet e paqartë mënyra se si 52 vjeçari ka rifituar lirinë.

