Tjetër kosto në faturën e ujit/ERRU paralajmëron rritjen e çmimit, sektori ka nevojë për 5 mld investime

Shteti do t’i faturojë qytetarëve shqiptarë një tjetër barrë në çmimin e ujit. Në raportin e Performancës të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2020 nënvizohet se sektori i Ujësjellës-Kanalizimeve ka nevojë për 5 milionë dollarë deri në vitin 2040 për të shkuar drejt furnizimit me ujë pa ndërprerje.

Financimi në këtë rast synohet të arrihet nga taksat e buxhetit të shtetit, transfertat nga financimi i donatorëve dhe tarifat që do mblidhen nga faturat e shërbimit të ujësjellësit.

Sfidë për sektorin mbetet pjesa e kanalizimeve pasi rreth 49% e vendit mbetet e pambuluar më këtë shërbim.

Në një tjetër raport të mëparshëm, ERRU në një prej alternative propozonte katërfishimin e faturës minimale të unifikuar të ujit, duke aplikuar një tarifë të njëjtë në të gjithë vendin që kap vlerën e rreth 1400 lekëve në muaj, ndërsa aktualisht ajo varion nga 350 deri në 2,000 lekë në muaj.

Edhe pse vetë Enti e pranon që kjo do të krijonte kosto dhe probleme të mëdha.

Në çdo rast, qeveria parashikon që kostot t’i paguajnë qytetarët. Më herët ishte Ministria e Financave, e cila propozoi që borxhet e Ujësjellësit për energjinë të futen në faturën e ujit.

Ndërmarrjet e Ujësjellësit kanë krijuar një stok prej 17 miliardë lekësh për detyrime të prapambetura kundrejt OSHEE deri në fund të vitit 2020, pjesa më e madhe  tyre, konkretisht 9 miliardë prej tyre janë kamatvonesa.