Transporti ende larg rimëkëmbjes, rritet numri i pasagjerëve që lëvizën përmes ajrit

Pavarësisht përmirësimit që sektori i transportit ka shënuar gjatë këtij fillim viti, mbetet ende larg shifrave të para pandemisë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se më i godituri është transporti hekurudhor, ndërsa në atë ajror është shënuar rritje e numrit të pasagjerëve por është ulur numri i kompanive që operojnë. Përsa i përket transportit të mallrave më i preferuari vijon të mbetet ai detar.

Goditja që pandemia i ka dhënë sektorit të transportit nuk po e lejon atë t’i rikthehet ritmeve të mëparshme, pavarësisht rritjes që ka shënuar në këtë pesë mujor.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit maj përmes ajrit kanë lëvizur 145 mijë e 870 pasagjerë më shumë se një vit më parë ndërkohë që kriza ka prekur kompanitë ajrore, numri i të cilave është tkurrur për periudhën në fjalë NGA 16 kompani në 14 të tilla.

Transporti ajror vijon të mbetet më i preferuari për pasagjerit pasi zë 80.5% të transportit gjithsej.
Megjithatë, transporti hekurudhor duket se ndodhet përpara një kolapsi pasi rezulton më larg rimëkëmbjes.

Referuar shifrave në muajin që lamë pas me tren kanë lëvizur vetëm 643 persona, në një kohë kur në vitin 2019 numëroheshin më shumë se 5 mijë.

Linjat hekururdhore po shkojnë drejt braktisjes pavarësisht se janë 121 kilometra nga Vora në Han të Hotit që do të rikonstruktohen me mbështetjen financiare të Komisionit Europian.

Përsa i përket transportit të mallrave me hekurudhë u transportuan 2 mijë e 495 ton për kilometër, por mbizotërues vijon të jetë transporti detar.

Volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte në muajin që lamë pas arriti në 401 mijë tonë duke u rritur me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.