"Problemi të kapet nga koka", Soko: Rama show me kryebashkiakët, ideatori dhe autori i tenderave pa garë

Pas tetë vitesh në pushtet por pa folur me emra, kryeministri Edi Rama ka pranuar abuzimet e kryebashkiakëve me paratë publike dhe i paralajmëroi ata se kontratat pa shpallje paraprake dhe me negociim do të kalojnë nën hetimin e SPAK.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, e sheh si show të Ramës për të dhënë idenë se është rreshtuar në krahun e të drejtës.

Sipas tij, kryeministri është ideatori dhe autori i gjithë kësaj frymë që më pas u kthye në fenomen.

Soko: Ka qenë thjesht show për të justifikuar apo për ti dhënë ngjyrë asaj që po ndodh për ta rreshtuar veten në krahun e të drejtës. Nëse shikon historinë me tenderat me negociim të pashpallur do të thotë që janë tendera të cilat kryhen pa konkurrencë, është vetëm një, i deklaruar që në fillim që do të jetë fituesi. Legjitimimin e tenderave me një pjesëmarrës e ka bërë vetë ai. Është ideatori dhe autori i gjithë kësaj frymë që më pas u kthye në fenomen.Gati 50% e tenderave kryhen në këtë formë. Gjatë pandemisë kemi pasur 70%.

Soko thotë se problemi duhet kapur nga koka, aty ku janë "llokmat" më të mëdha të parasë publike që janë shpërdoruar.

Open Data thotë se abuzimet më të mëdha janë në shëndetësi, në rrugë dhe te rindërtimi.

Soko: Nëse ne duam ti japim ngjyrë asaj që po ndodh hajde dhe merremi me kokat e mëdha. Do merremi këtu njëherë. Edhe nëse do të merremi me bashkitë, kush është Bashkia më e madhe që ka tenderuar me një pjesëmarrës? Bashkia e Tiranës, hajde dhe merremi dhe me atë. Ta kapim nga koka jo nga këmba dhe bishti. Natyrisht që do të ndiqet paralelisht e gjithë paraja publike që është shpërdoruar sado e vogël të jetë.

Po a i ka respektuar vetë Kryeministri procedurat për tenderat publikë?

Opozita ka denoncuar në vijimësi se pjesa më e madhe e tyre kanë qenë sekret.

Soko: Nuk ka Kryemninistri sy e faqe tua thotë kryetarëve të bashkive këtë që u ka thënë sot. Prandaj nuk ua ka thënë me vite sepse e ka bërë vetë. Vetë qeveria e tij, ministritë e tij kanë tenderuar kështu, 70% e buxhetit tenderohet kështu. Kryebashkiakët kanë parë këtë.