Ishte shpallur në kërkim nga Interpoli, ky është momenti kur arrestohet Fjolla Morina (Video)

Ky është momenti, kur policia e Kosovës, bën ndalimin e këngëtares Fjolla Morina, e shpallur në kërkim nga Interpoli.

Në një video të publikuar nga ‘Prive.al’, shihet policia teksa i vendos prangat përpara lokalit në Prishtinë.

Ajo shihet se është e shoqëruar nga disa persona, ndërkohë që përpiqet të diskutojë me efektivët.

Këngëtarja, Fjolla Morina, është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë pas disa muajsh qëndrimi në arrati. Ndalimi i saj është bërë në lagjen "Emshir" të kryeqytetit.

Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Shqipërisë pas një hetimi të nisur ndaj saj për trafikim të armëve.

Lajmin për arrestimin e saj e ka konfirmuar Policia e Kosovës e cila bëri të ditur se ka zbatuar urdhrin ndërkombëtar të arrestit lëshuar ndaj saj, nga autoritetet shqiptare.

Ndaj këngëtares rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit, ndërkohë që pas arratisjes së saj nga Kukësi, gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me 6 vjet burg.

Akuza ndaj këngëtares lidhet me arrestimin e saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku gjatë kontrollit iu gjetën në çantë dy revole.