Sejko: Rritja ekonomike përgjatë 2021 pritet në 5.3%
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh optimist se viti 2021 do të ketë rritje rritje ekonomike dhe për pasojë do të ketë kthim të inflacionit në objektiv në 2022.
Gjatë konferencës në lidhje me vendimmarrjen e politikes monetare, Sekjo tha BSH parashikon një rritje ekonomike me 5.3 %.
“Ekonomia pritet të rritet në këtë vit që do sjell rritje punësimi dhe të pagave, për pasojë do të kemi edhe kthim të inflacionit në objektiv në 2022. Norma mesatare e inflacionit ishte 1.9% në prill dhe maj dhe u ndikua nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Aktiviteti ekonomik është drejt rikuperimit në 2 tremujorët e parë të vitit. Ka rritje investimesh, shpenzimesh dhe zgjerim të eksportit. Rritja ekonomike për 2021 pritet të jetë 5.3% sipas vlerësimit të BSH”, tha Sejko.
Megjithatë, tha Sejko, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, se punësimi vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, dhe se qëndrueshmëria e rritjes ekonomike vijon të kërkojë ruajtjen e kushteve monetare stimuluese.
Ndërkohë sa i takon kreditimit, Sejko tha se përmirësimi i kërkesës për kredi dhe kushtet e favorshme të ofertës, kanë sjellë një rritje relativisht të shpejt të kreditimit.
"Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 7.8% në muajin maj, kundrejt një norme mesatare rritjeje prej 6.8% gjatë vitit 2020. Përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartin sinjale të tjera pozitive. Së pari, rritja e portofolit të kredisë ka shkuar gjerësisht për financimin e investimeve të bizneseve dhe për kredi hipotekare, duke sinjalizuar rritjen e investimeve të sektorit privat dhe një situatë në përmirësim të likuiditetit të tij.
Së dyti, kredia në monedhën vendase vijon të ruajë norma më të larta rritjeje, duke u reflektuar në rritjen progresive të peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky zhvillim inkurajues krijon premisa për një përcjellje më të mirë të stimulit monetar dhe një rezistencë më të lartë të sistemit bankar ndaj rreziqeve të stabilitetit financiar. Së treti, treguesi i kredisë me probleme ra në nivelin 7.8% në muajin maj, duke sugjeruar një cilësi të kënaqshme të këtij portofoli".
Duke vlerësuar se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%.
Po ashtu mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, përkatësisht në 0.1% dhe 0.9%.