Arabia Saudite mosmarrëveshje me Emiratet: Nafta mund të arrijë 100 dollarë për fuçi

Organizata e vendeve eksportuese të naftës gjendet përballë një krize të brendshme, e cila ka nisur të reflektohet drejtpërdrejt te çmimet.

Shtetet e OPEK-ut dhe partnerët nuk u takuan të hënën sipas planit, për shkak se vijuan mosmarrëveshjet mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për sa i përket sasisë së naftës që duhet hedhur në treg përgjatë periudhës gusht-dhjetor 2021.

Arabia Saudite si prodhuesi kryesor bashkë me Rusinë dhe të tjerët kanë propozuar që deri vitin tjetër të qëndrojnë në fuqi kufizimet në prodhim, dhe të rriten vetëm me 400 mijë fuçi nafte në ditë. Ndërkohë Emiratet janë ankuar se po shesin vetëm një të tretën e kapacitetit dhe po sakrifikojnë më shumë se shtetet e tjera.

Emiratët kërkojnë të prodhojnë mbi 3 milionë fuçi nafte në ditë, jo 2 milionë sa ç'propozohet.

Prodhimi ditor botëror është ulur me gati 10 milionë fuçi nafte prej kufizimeve nga pandemia.

Të martën, çmimit i naftës bruto pasqyroi zhvillimet brenda OPEK-ut duke arritur vlerën më të lartë në 6 vite në standardin amerikan, mbi 76 dollarë fuçia, dhe më tepër u ngjit standardi ndërkombëtar Brent, në gati 78 dollarë fuçia.

Sekretari amerikan për Energjinë, Den Brujet, tha se nëse bisedimet për naftën do të dështonin, nafta mund të kalojë së shpejti vlerën 100 dollarë fuçia, siç ndodhi gjatë vitit 2008 me rastin e krizës financiare globale.