G20, ministrat e financave në Venecie: Reformë e re globale taksimi, 15% për koorporatat

Ministrat e financave dhe kryebankierët e vendeve të G20-ës nisën të premten takimin dyditor për të diskutuar mbi reformën për një sistem taksimi më të drejtë për gjithë botën.

Propozimi për një taksë minimale 15% mbi korporatat është parashtruar nga Sekretarja amerikane e Thesarit dhe mbështetet nga OECD-ja, nga 130 shtete, mes tyre Shqipëria.

Një nivel i tillë taksimi i aplikuar botërisht llogaritet se do sillte rreth 150 milliardë dollarë të ardhura arkës globale.

Por ka vende, si Irlanda, Estonia apo Hungaria që deri tani i kanë rezistuar nismës.

Irlanda aplikon taksa të ulëta për kompanitë e mëdha, si Google, Facebook apo Amazon, dhe për këtë qortohet nga anëtaret e BE-së, nga Franca dhe Gjermania, të cilat kërkojnë prej kompanive të paguajnë vlerën që u takon.

Bizneset shumëkombëshe gjithashtu duhet të taksohen në vendin ku ato i gjenerojnë fitimet, dhe jo ku i kanë selitë që shpesh vendosen në shtetet me norma të ulëta taksash ose në parajsa fiskale.

Sipas një dokumenti paraprak, mësohet se ministrat e financave në Venecie do e përkrahin marrëveshjen për arkitekturën e re ndërkombëtare të taksimit. Vendimi final pritet të merret në tetor gjatë samitit të liderëve të G20-ës në Romë.