Para jashtë banke, në dy vite qarkullimi u rrit deri në katër herë

Muaji maj i këtij viti ka shënuar një nivel rekord të parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ky stok ka arritur në 350.6 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej më shumë se 38 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë.

Cash-i në qarkullim njohu një rritje të konsiderueshme edhe gjatë vitit 2020 me rreth 52 miliardë lekë, shifër kjo rreth 3 herë më e lartë viti 2019.

Kjo erdhi si pasojë e reduktimit të të shërbimeve bankare gjatë pandemisë së koronavirusit.

Qeveria ka marrë një sërë masash për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në ekonomi, duke detyruar hapjen e llogarive bankare për të gjithë bizneset dhe refuzimin e dy bilanceve për dhënien e kredive për kompanitë e individët, por pavarësisht kësaj, ky fenomen vetëm është rritur.

Përdorimi masiv i parasë fizike lidhet edhe me nivelin e lartë të informalitetit e pranuar kjo nga më herët nga Banka por dhe ekspertët.

Ata shprehen se një sasi kaq e lartë e qarkullimit të lekëve jashtë kanaleve zyrtare në Shqipëri ndodh për shkak të një sistemi elektronik pagesash që nuk është shumë i avancuar si dhe mungesa e llogarive bankare.

Aktualisht Banka e Shqipërisë po punon për ngritjen e një platformë kombëtare për sistemin bankar, me fokus avancimin e pagesave pa para në dorë.