Shkodër, qarkullonin me kallashnikov në makinë, prangoset 19-vjeçari, procedohen shoferi e pasagjerët
Qarkullonin me armë zjarri në makinë, vihet në pranga poseduesi i armës dhe procedohen penalisht drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët e tjerë në Shkodër.
Po ashtu, sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov, një automjet tip “Benz” dhe tre telefona celularë.
''Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa të rinj qarkullonin me armë me vete në një mjet “Benz”, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Bregu i Ranës”, në lagjen Guerile, Shkodër, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi F. M. Nga kontrolli i ushtruar në mjet, poshtë sediljes ku ishte ulur shtetasi S. Gj., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.'' - njofton policia.
Arma e zjarrit i përkiste shtetasit S. Gj., 19 vjeç, banues në lagjen Guerile, Shkodër, pasagjer në mjet, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale "Armëmbajtja pa leje".
Gjithashtu u proceduan penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi F. M., 17 vjeç, për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Moskallëzim krimi”, si dhe vëllezërit G. K., 19 vjeç e G. K., 15 vjeç, pasagjerë në mjet, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.
