Dëmtohet kisha e Shën Thanasit, Monumenti i Kulturës është amortizuar e dëmtuar nga shirat

Kjo kishë daton që në vitin 1724 dhe është një ndër më të vjetrat në llojin e saj në këtë fshat turistik, e pajisur me një ansambël të pasur pikturash murale.

E vlerësuar si pjesë e trashëgimisë kulturore, kisha e Shën Thanasit në Voskopjë u dëmtua nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

Dëmtimet janë shënuar në çatinë e kishës ku raportohet se 30% e çatisë është thuajse e rrënuar plotësisht, ndërsa pjesa më e madhe e saj është e amortizuar.

Gjergj Koki: Gati 90% e shtresës mbuluese, gjithë çatia është e degraduar, janë kalbur të gjithë elementët e drurit në brendësi të saj. Pavarësisht se kemi kryer ndërhyrje në vlera shumë të vogla, ndërhyrje që kanë rritur jetëgjatësinë, është bërë e mundur të shtyhet deri tani kjo situatë. Por për shkak të reshjeve është shembur pjesa veriore e kishës e cila është në gjendjen SOS.

Drejtoria e Monumenteve të Kulturës është shprehur se do të ndërhyjë përkohësisht në restaurimin e godinës, por kjo nuk konsiderohet zgjidhje, pasi në një moment tjetër reshjet mund të thellojnë dëmet.

Gjergj Koki: Sot do të kryejmë një ndërhyrje provizore për të shmangur depërtimin e  ujërave në brendësi të kishës por do restaurim të gjithë çatisë. Projekti është realizuar, do ta përditësojmë dhe me situatën aktuale dhe presim të kemi një financim sa më shpejt të jetë e mundur nga Ministria e Kulturës.

Edhe pse problematika është konstatuar më herët dhe degradimi i çatisë është bërë i njohur, ka qenë e pamundur të sigurohen financime, ndërsa punimet e kryera çdo vit për mirëmbajtje, kanë qënë të pamjaftueshme për të shmangur shembjen.

Dëmtohet kisha e Shën Thanasit, Monumenti i Kulturës