Protesta e banorëve të Sinecit, Guri: Projekt abuziv, zona është e mbrojtur
Banorët e Lumasit prej disa javësh dalin në protestë për të ruajtur burimin e ujit të Sinecit.
Aktivisti Sazan Guri në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News u shpreh se burimi i Sinecit është një zonë e mbrojtur dhe nuk mund të realizohet asnjë projekt në zonën 200 metra rreth burimit.
Guri: "Burimi i Sinecit është zonë e mbrojtur e kategorisë së tretë, që do të thotë 200 metra larg burimit nuk mundet kurrsesi të futesh me vepra, me beton, kanale, ura etj. Jo vetëm që është zonë mbrojtur kategoria e tretë e shkallës së parë, por me anë të këtij burimi furnizohen të gjitha puset nëntokësorë të fshatrave. Nuk ka mundësi të ndodhë kjo vepër-marrje në një zonë të mbrojtur. Në Gjykatë ne jemi të fakti që 3 institucione thonë merre ujin, por 200 metra te burimi mos e prek."
Banorët kallëzuan në SPAK kryetarin e bashkisë Kuçovë për shpërdorim detyre. Sipas Gurit kryetari i kompanisë ka bërë një projekt abuziv. Për projektin nuk ka pasur dëgjesa publike me qytetarët dhe kjo është një tjetër shkelje.
Guri: "Kryetari i kompanisë ka bërë një projekt abuziv. Nuk është konsultuar me publikun. Një projekt, vepër-marrje uji nuk mund ta bësh pa u konsultuar me qytetarët apo me banorët, pra kemi shkelje tjetër. Ai nuk ka bërë asnjë dëgjesë publike me qytetarët."
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
