Nuk i jepet leje të investojë, Gjin Përleka denoncon Bashkinë Mirditë: S'miraton lejen në pronën time
Pas 30 vitesh emigracion, Gjin Përleka nga Rubiku vendosi të rikthehet dhe kursimet e jetës t’i investojë në vendlindje.
"Kam punuar për 30 vjet në Itali me gjithë familjen time. Meqë kryeministri bëri thirrje që emigrantët të vijnë dhe të bëjnë investime këtu, unë mora vendimin që të kthehem," tha ai.
Në bashkëpunim me një investitor Italian, Përleka nga Mirdita mendoj të ngrejë një biznes prodhimi pjesësh makinash, në pronën e tij në qytetin e Rubikut.
"Kam bërë aplikim për leje ndërtimi duke qenë se kemi pronën tonë të trashëguar ka vite," tha Përleka.
Prej javësh ka sjell të gjitha makineritë në Shqipëri të cilat kapin vlerën e 150 mijë eurove, por puna ka ndaluar, pasi Bashkia Mirditë refuzon të finalizoje lejen për ndërtimin e objektit, me pretendimin se prona e qytetarit është pjesë e një projekti zhvillimor në të ardhmen.
"Bashkia Rrëshen më ka refuzuar lejen e ndërtimit duke thënë se në këtë tokë do bëhet një projekt tjetër," tha ai.
Në këtë sipërmarrje Përleka ka planifikuar të punësoje dhjetëra persona nga zonat përreth, ndërsa thotë se i gjithë mundi i jetës po i shkon dëm, pasi makineritë i ka blere tashmë.
"I kam sjellë të gjitha makineritë nga Italia me të gjitha rregullat e shtetit dhe janë të magazinuara atje," tha Përleka.
I kontaktuar përmes telefonit në lidhje me këtë çështje kryebashkiaku i Mirditës, Ndrec Dedaj thotë se ky projekt bie ndesh me planin urbanistik të qytetit të miratuar pak kohë më parë, pasi në atë zonë është parashikuar të jetë rrugë ndaj dhe është refuzuar leja e ndërtimit.

