Ndryshon moti në vend, reshje shiu në bregdet
Meteorologët thonë se deri të martën moti nuk do të jetë shumë i favorshëm, për të shijuar pushimet dhe plazhin. Ndaj nuk duhet të hiqni çadrën nga çanta. Hakil Osmani, sqaron se në këtë interval kohor, reshjet do të jenë prezente pothuajse në të gjithë vendin. Reshjet do të jenë me intensitet të lartë në zonat malore, por nuk do të mungojnë as në ato bregdetare.
"Territori shqiptar mbetet me reshje kryesisht me reshje në zonën bregdetare dhe të ulët me reshje me intensitet të ulët dhe mesatar. Ndërsa në zonat malore pritet të kemi reshje me intensitet të lartë."
Megjithatë, sipas Meteoalb, vendi ynë nuk është i rrezikuar nga stuhi shiu, pavarësisht asaj që po ndodh në vendet e tjera.
"Territori shqiptar është më i mbrojtur nga stuhitë dhe reshjet që po ndodhin në Evropë."
Të mërkurën pritet të rikthehen ditët me diell dhe temperatura e larta deri në 33 gradë celcius.
"Një përmirësim i kushteve të motit do të ndihet pas orëve të mbrëmjes së ditës së sotme, duke e bërë që e hëna të jetë me intervale kthjellimesh dhe vranësirash. E marta mbetet me sasi të pakta shiu. Ndërsa moti do të përmirësohet gjatë mbrëmjes të së martës."
E diela solli reshje të shumta shiu në të gjithë vendin, duke shkaktuar dhe vështirësi në qarkullim në disa qytete.

