Të parkosh në Tiranë pa pagesë mision i pamundur

Që kur Erion Veliaj mori drejtimin e bashkisë Tiranë premtoi se do të merrej me organizimin e hapësirës publike për parkim. Por ky problem nuk është zgjidhur, madje të parkosh në kryeqytet është kthyer në një makth për drejtuesit e mjeteve.

Tirana është qyteti me trafikun më të rënduar në Shqipëri ku qarkullojnë me mijëra automjete. Me vendim të Këshillit bashkiak dhe në varësi të Bashkisë Tiranë u themelua “Tirana parking”.

Por që kur kjo kompani nisi të operojë numri i vendeve të parkingut të lirë publik filloi rënien.

Madje, edhe në ato raste kur kishte parkingje pa pagesë institucioni i Bashkisë i zevëndësoi ato me vijëzime blu, çka do të thotë që çdo drejtues mjeti që do të parkojë aty do të duhet të paguajë një tarifë për çdo orë qëndrimi.

Parkimi rezidencial është një nga format që qytetarët mund të parkojnë në lagjet e tyre falas vetëm duke u pajisur me kartën e rezidentit.

Por çfarë ndodh?

Të shumta janë automjetet që edhe pse nuk e kanë pullën rezidenciale i sheh të parkuara në vendet që janë të autorizuara për dikë tjetër.

Madje shqetësimin e ngrenë dhe drejtuesit e mjeteve që thonë se ky problem nuk po gjen zgjidhje dhe se të parkosh pa pagesë në Tiranë është pothuajse e pamundur.

 “Tirana parking”, e cila është në varësi të Bashkisë Tiranë së fundmi ka hapur një tender për vijëzime dhe vendosje tabelash me vlerë 5.9 mln lekë, por ende nuk po merret me problemin shqetësues prej vitesh për qytetarët.