Trafiku i kokainës, mbetet në qeli Barjon Gumeni, në kërkim vëllai i tij Eduart Dauti

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Barjon Gumenin me akuzën e trafikimit të ngarkesës me 11 kg kokaine nga Amerika Latine e cila u kap pak ditë më parë në port. Pas caktimit të masës, togat e zeza vendosën që çështja të kalojë në SPAK për shkak të elementëve që flasin për grup kriminal në trafikun e narkotikëve. Gumeni para trupës gjykuese ka mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, duke thënë se kompania e tij kishte porositur bananet porse nuk kishte dijeni për kokainën.

Gjykata e Durrësit caktoi masën burg pa afat ndaj administratorit të kompanisë “Alba Ekzotik fruit” Barjon Gumeni për akuzën e trafikimit të 11 kg kokainë të kapur në portin e Durrësit pak ditë më parë.

Pas vendimit për masën, Gjykata shpalli moskompetencën duke ia kaluar këtë çështje Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Para gjykatës së Durrësit, Gumeni përsëriti se nuk ka lidhje me kokainën.

Ai rezulton se është pronar i 10% të aksioneve të kompanisë që ka porositur kontejnerin dhe është ndaluar nga policia në momentin që ka shkuar në port për të tërhequr ngarkesën me banane.

Por brenda saj është gjetur edhe sasia e drogës. Për këtë çështje është shpallur në kërkim edhe vëllai i Gumenit, Eduart Dauti, që është njëherësh pronar me 90% të aksioneve të kompanisë që ka porositur ngarkesën me banane.

Dauti ka deklaruar në media se ndodhet në Francë, ndërsa më herët ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e kokainës.

Ngarkesa me 11 kg kokainë është e pesta që kapet në portin e Durrësit në kontejnerë frutash të mbërritura nga Ekuadori gjatë dy viteve të fundit.