I mori 8 mln lekë vajzës së pacientes me Covid, Tire Alldervishi lihet e lirë pas 6 muajsh burg

Gjashtë muaj pas arrestimit me akuzën e korrupsionit, ish-sanitarja e Sanatoriumit në Tiranë, Tire Alldervishi, ka rifituar lirinë. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj saj masën "arrest shtëpie", pasi prokuroria kërkoi shtyrjen e afatit të hetimeve edhe për 3 muaj të tjerë. Organi i akuzës tha se do ta apelojë lirimin dhe se koha shtesë i nevojitet për ekspertimin e telefonave ku janë gjetur bisedat dhe mesazhet që lidhen me ryshfetin që u kërkohej familjarëve të pacientëve të prekur nga Covid-19.  

 Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu ish-sanitaren e spitalit "Shefqet Ndroqi" të arrestuar në fillim të këtij viti me akuzën e korrupsionit.

Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e afatit të hetimit me 3 muaj të tjerë për shkak të ekspertizës së telefonave celularë ku janë gjetur bisedat e sanitares me familjarët e pacientëve të prekur nga Covid, të cilëve u kërkohej ryshfet.

Por Gjykata e Tiranës ka vendosur që gjatë kësaj periudhe mos ta mbajë në burg të arrestuarën, duke ndryshuar masën ndaj saj nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie".

Në këtë mënyrë, ish-sanitarja e spitalit "Shefqet Ndroqi" ka fituar lirinë 6 muaj pas arrestimit, ndërkohë që burime të prokurorisë bënë me dije se vendimi do të apelohet në Gjykatën e Apelit me kërkesën për kthimin e të pandehurës në qeli.

Tire Alldervishi ra në pranga më 13 janar të këtij viti pas publikimit të mesazheve që ajo kishte shkëmbyer me familjarët e pacientët të prekur nga Covid-19.

Në këto biseda, sanitarja kërkonte shuma ryshfeti për ti dërguar të sëmurëve ujë, ushqime por edhe medikamente gjatë ditëve të qëndrimit në spital.

Denoncimi ndaj Alldervishit u bë nga vajza e një qytetareje e cila humbi jetën tek Sanatoriumi si pasojë e infektimit me Covid.

Në disa prej këtyre mesazheve evidentohen lutjet që të sëmurët i bënin sanitares për ushqime apo edhe për medikamente teksa përballeshin me infeksionin në spital.

Zbardhja e bisedave telefonike të Tire Alldervishit u bë shkak për zgjerimin e hetimeve dhe arrestimin e tri infemiereve dhe një tjetër sanitareje të spitalit "Shefqet Ndroqi", të cilat rezultuan se ishin përfshirë në skemën e kërkimit e parave dhe të mashtrimit ndaj familjarëve të pacientëve që dërgoheshin për kurim nga Covid-19.