Të (pa)barabartë përpara ligjit! Përfaqësuesit e bizneseve ankohen: Kamza e persekutuar, nuk lejohen dasmat
Përfaqësuesit e bizneseve kanë protestuar këtë të premte përpara Ministrisë së Shëndetësisë ku janë ankuar për atë që e quajnë standard i dyfishtë në zbatimin e masave anti-Covid. Ata thonë se disa sipërmarrës kanë patur favorizim nga sjellja e policisë, ndërsa kërkojnë gjithashtu lehtësimin e mëtejshëm rregullave që u vendosën për të parandaluar përhapjen e infeksionit duke u shprehur se janë në vështirësi ekonomike.
Përfaqësues nga shoqata e bizneseve i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me një shkresë zyrtare pasi kërkojnë rishikimin e masave anti-Covid.
Ata po përballen me vështirësi ekonomike që nga pandemia dhe presioni i vazhdueshëm nga policia nuk po lejon ushtrimin e aktivitetit të tyre normalisht.
"Dëmi ekonomik është i pallogaritshëm, nuk kemi të paguajmë dritat dhe taksat. Kamza e persekutuar totalisht. Ora policore të shtyhet deri në 1, të bëhen dasmat me kufizime."
"Policia e shtetit ka detyra të tjera, nuk mund të vijë me shkop brenda, është biznesi im. Paguaj taska në shtet për vite me radhë."
"Policia nuk lejon asnjë ceremoni dasmash."
Ka patur prenotime për dasma dhe aktivitete të tjera të bëra rreth një vit më parë e pikërikërisht ora policore në fuqi dhe masat e tjera privojnë aktivitetet që këto biznese zhvillojnë.
"Kemi shumë probleme dhe me dasmorët, ata që kanë zënë dasmat. Thonë nëse nuk na e bën ti, e bëjmë diku tjetër. Jemi shumë të mërzitur nga kjo situatë."
"Kanë shpërndarë ftesat, kanë zënë hotele. Kanë ardhur nga Greqia e Italia, si do ta bëjmë? Duam një zgjidhje konkrete, do kemi probleme me dasmorët që kanë zënë dasmat."
Ata thonë gjithashtu se kanë vërejtur edhe standard të dyfishtë në zbatimin e rregullave.
"Ça do të bëhet me ne, kudo punohet vetëm në Kamzë jo."
Duke dhënë si argument lehtësimin e situatës pandemike, bizneset kërkojnë lehtësimin e mëtejshëm të masave anti-Covid.

