"Po shesim qumësht, jo drogë!" Shitësit ambulantë kërkojnë treg: Punojmë çdo ditë me frikë

Shitësit ambulantë të frutave dhe perimeve çdo ditë përballen me policinë bashkiake, e cila i pengon të punojnë. Disa prej këtyre përballjeve kanë qenë të dhunshme dhe shpesh janë bërë objekt i mediave dhe reagimeve të forta në rrjetet sociale. Ata thonë se Bashkia duhet tu sigurojë një treg të përshtatshëm e jo tu marrë produktet, pasi po shesin qumësht, fruta e perime dhe jo artikuj të ndaluar nga ligji.

Shitësit ambulantë vijnë nga Baldushku për të tregtuar produktet bio, por çdo ditë duhet të përballen me policinë bashkiake.

Ndihen të frikësuar, por pavarësisht kësaj zgjohen rreth orës 4 dhe vijnë në Tiranë pasi me paratë që mbledhin sigurojnë bukën e përditshme.

"Policia ka ardhur pas nesh."

"Ngrihemi në gjysmë të natës dhe kur vijmë këtu na i marrin."

Thuajse të gjithë janë përballur të paktën një herë me policinë bashkiake, e cila në rastin më të mirë vetëm i ka paralajmëruar.

"Përditë vijnë dhe na i marrin."

"Më morën trastën me qumësht dhe pse bëra gjithë atë luftë."

Njëra prej zonjave tregon se ka humbur ndjenjat nga përballja me efektivët e Bashkisë së Tiranës, të cilët u larguan pa i dhënë ndihmën e parë.

"Më ra të fikët këtu, u bë miting këtu. Më lanë aty dhe sa më ra të fikët morën makinën dhe ikën."

Kovat dhe qeset i kanë gati për ti fshehur, nëse shohin policët bashkiakë.

Efektivët shfaqen dhe bëhen gati për ndërhyrje por më pas largohen sapo shohin praninë e kamerave të Ora News.

Ambulantët nuk kërkojnë asgjë më shumë së një treg të përshtatshëm për ta.

"Na bëni një treg, të shesim dy ditë në javë dhe të largohemi."

Nuk po ofrojmë drogë por qumësht, thonë ata.

"Ky është më keq se droga."

Veç shitësve ambulant, në fokus të aksioneve të Bashkisë janë edhe ricikluesit.

Kanë frikë të identifikohen, por shqetësimin e shprehin qartë.

"Na i marrin karrocat, bidonët."

Disa herë ua kanë marrë thasët.

Rrezikojnë përballjen me policinë për të siguruar një 500 lekësh në ditë.

"5-6 mijë lekë nuk bëjmë më tepër".