Vrasja e babë e bir, Olsi Leku me shtetësi helene, grekët kërkojnë garanci për ekstradimin

Gjykata vendos të kalojë për gjykim Ardian Çapjan dhe të gjithë anëtarët e tjerë të grupit, që kryen vrasjen e babë e bir, në Elbasan.

Ekstradimi nga Greqia në Shqipëri i Olsi alias Jorgo Lekut, të akuzuar nga prokuroria shqiptare, për akuzën e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit, në 15 gusht të vitit 2012 në Ebasan, është kthyer në një çështje të ndërlikuar që po sjell vonesa në transferimit e këtij personi të kërkuar në Shqipëri.

Shkak për shtimin e burrokracive, është bërë shtetësia greke që Olsi Leku disponon dhe që padyshim, autoritet e drejtësisë helene, kërkojnë garanci për jetën e tij dhe zhvillimin e një procesi gjyqësor të pavarur nga gjykatat shqiptare.

Me anën e një shkrese zyrtare të përcjellë në prokurorinë e posaçme SPAK, gjykata e Athinës që po trajton kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e Olsi Lekut në Shqipëri, ka kërkuar nga prokuroria të dhëna shtesë, për sa i përket kushteve të garancisë të zhvillimit të një procesi të rregullt penal.

Si dhe garancinë se këtij shtetasi grek, ti sigurohen kushtet elementare të mbrojtjes së jetës në burgjet shqiptare.

Prokuroria shqiptare që ka në proces këtë çështje penale, mësohet se ka kthyer një përgjigje zyrtare tek autoritetet gjyqësore greke, duke i garantuar për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtje nga avokatë.

Ndërsa ka shtuar në përgjigjen e kthyer grekëve se, çështja penale kundër Olsi Lekut, tashmë është në procesin e seancës paraprake, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Olsi Leku, u ndalua në 11 Tetor 2020 në kryeqytetin e Greqisë në Athinë, ku qëndronte prej disa vitesh së bashku me familjes e tij.

Leku ka marrë shtetësinë greke, ndërsa në Shqipëri dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e babë e bir në vitin 2012 në qytetin e Elbasanit.

Emri i Olsi Lekut në këtë dosje ka dalë nga rrëfimi i njërit prej bashkëpuntorëve në këtë dosje, të arrestuarit Ervis Bardhi, i cili ka treguar se ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit, e ka kryer së bashku me mikun e tij, Olsi Leku.

Sipas rrëfimit të Bardhit, Olsi Leku ka rrahur dhe më pas mbytur me jastëk, Nezir Beqirin, ndërsa vetë ai kishte qëlluar 4 herë me armë në drejtim të Gentian Beqirit, duke e lënë të vdekur në vend.

Bardhi u ka treguar prokurorëve se vrasja e babë e bir ishte paguar me vlerën 50 mijë euro, nga Ardian dhe Florenc Çapja, si shenjë hakmarje për shkak se Gentiani ishte një nga autorët e vrasjes së Sokol Çapjas në 25 dhjetor 2015 në Elbasan.

Aktualisht në burg për këtë vrasje është Ardian Çapja, Olsi Leku në Greqi, Ervis Bardhi, Etien Cani dhe Klajdi Dokoli.

Ndërsa në Dubai është arrestuar Florenc Çapja, i cili momentalisht ndodhet në burg dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri.

Ndërsa ditën e sotme gjyqtari i seancës paraprake, Erjon Çela, vendosi të kalojë të gjithë anëtarët e krimit kriminal në proces gjykimi në fazën e themelit.