Kuvend për humbjen dhe ringritjen, PD zgjedh të shtunën Këshillin e ri Kombëtar, nis ristrukturimi
7 mijë e 500 delegatë janë thirrur të shtunën për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ku do të diskutohet mbi analizën e humbjes së zgjedhjeve, për të miratuar ndryshimet në statut dhe për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar. Në Kuvend, Lulzim Basha, pritet të shpalosë platformën e tij për ringritjen e PD-së dhe për qëndrimet që do të mbajë ndaj institucioneve gjatë mandatit të tretë të qeverisë Rama.
Partia Demokratike të shtunën në orën 11:00 do të mbledhë Kuvendin Kombëtar ku 7 mijë e 500 delegatë janë thirrur për të miratuar ndryshimet në statut dhe për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar.
Në Kuvend do të diskutohen edhe qëndrimet politike si dhe faza e parë e analizës për zgjedhjet e 25 prillit.
Janë rreth 12 propozime të Lulzim Bashës për ndryshimet në statut, të cilat janë kryesisht teknike dhe sjellin ndryshime thelbësore, përfshirë dhe mosprekjen e mandatit të kryetarit.
Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi, kërkuan ndryshime në statut, ku kryesorja ishte largimi i kryetarit, në qoftëse humb zgjedhjet.
Kuvendi parashikohet të zgjasë disa orë, pa parashikuar procesin e numërimit të votave për Këshillin Kombëtar.
Lulzim Basha, do të mbajë fjalën kryesore, ku do të mbajë qëndrimet politike për hapjen dhe strukturimin e PD-së, por dhe për raportin që do ketë me institucionet, përfshirë Kuvendin.
Në Kuvend do të flasin edhe 19 drejtuesit politik që udhëhoqën betejën e 25 prillit.
Pjesa më e madhe e punimeve të së shtunës do i dedikohet zgjedhjes së 300 anëtarëve të ri të Këshillit Kombëtar, mandati i të cilit u ndërpre para kohe.
Lista u prezantua në Kryesi, ndërsa bie në sy se edhe në Këshillin e ri do të jenë pjesë ata që njihen si kritikët e Lulzim Bashës, duke nisur nga Edit Harxhi, Arben Ristani apo Fatbardh Kadilli apo edhe deputetja Fatjona Dhimitri që nuk pranoi të digjte mandatin e deputetes.
Bujar Nishani, një ndër zërat më të ashpër ndaj lidershipit demokrat, pritet të largohet nga drejtimi i këtij organi por jo nga përbërja e tij, pasi për shkak të funksionit si ish-President ai është automatikisht pjesë e tij si anëtar i thjeshtë.
Me Këshillin e ri Kombëtar, Partia Demokratike nis një fazë të gjerë ristrukturimi, duke nisur nga nënkryetarët, sekretarët e më pas edhe ristrukturimin në bazë.



