Helmimet në Deçan, opozita qorton reagimin e vonuar: Pas tri ditësh, pas presionit publik e politik

Parlamenti i Kosovës ka debatuar për situatën me epideminë e helmimeve në komunën e Deçanit. Rreth 200 persona iu shtuan të premten mbi 1 mijë banorëve të tjerë. Sipas opozitës, qeveria tregoi paaftësi në menaxhimin e situatës.

Opozita kosovare mban përgjegjëse qeverinë për helmimin prej gati një jave të më shumë se 1 mijë banorëve të komunës Deçan.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thanë të premten se ekzekutivi reagoi për ngjarjen vetëm pas presionit publik e politik.

Arben Gashi, kreu i grupit të LDK-së, shtoi se situata mund të ishte evituar.

“Në historinë e një qeverisje, e një shteti nuk ka ndodhur që të ndodh një helmim masovik me 1 mijë e 314 njerëz dhe shteti dhe qeveria të reagojë tek pas tri ditësh dhe ai reagim të vjen pas një presioni publik dhe politik që buron edhe nga Kuvendi, edhe nga qytetarët e Kosovës, edhe nga familjarët e të infektuarve. Nëse kemi një kësi lloj injorimi, një shpërfillje të tillë nga qeveria dhe nga kryeministri në një tema kaq sensitive, çka do të ndodh në raste të tjera.”

“Kjo papërgjegjësi tregon paaftësi për të udhëhequr. Dashtë zoti mos të përsëriten situata të tilla sepse me këta njerëz, këta individ të dashuruar në vetveten, jo në qytetarin dhe të dashuruar në votën popullore, tregon se neglizhenca është një emërtim, paaftësi për të udhëhequr me vendin.”

“Problemi ka të bëjë me trashëgimin, e vërtet është, vetëm në vitin 2000, nëse kthehemi 20 vjet prapa në Kosovë, qasje në ujë të pijshëm kanë pasur më pak se 10 përqind e popullsisë. E vërtet është edhe rastet tjera, siç është i Gjilanit, kur vitin e kaluar, ministri që është këtu, për rreth 7 muaj, refuzonte të ratifikohej marrëveshja për sistemin me ujë të pijshëm në komunën e Gjilanit. Po ashtu, ministri tjetër që është këtu, e vitin e kaluar ishte i ulur përpara në emër të komisionit për buxhet dhe financa refuzonte të ratifikoj marrëveshja për ujërat e zeza në Gjilan.”

Dyshimet për helmimin në Deçan janë hedhur mbi kompaninë që furnizon me ujë të pijshëm komunën perëndimore.

Analizat në fshatin Drenoc treguan të premten vlera të shtuara të baktereve dhe prezencë të bacilit Esherika Koli që gjendet në zorrë, dhe shpjegon simptomat e vjelljes dhe marramendjes që shfaqin banorët e helmuar.

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, e drejtoi gishtin e fajit drejt ujësjellësit rajonal.

“Nga ajo që është parë në teren del një nevojë emergjente për vendin tonë që gjithë sistemin e ujësjellësit në vend të inspektohen dhe të merren masa. Pasi ne mund të konkuludojmë që sistemi i ujësjellësit KRU Hidrodrini, në lokacionin në fjalë, realisht nuk është i mbrojtur. Pusetat janë të qasshme, rezervari mund të jetë lehtë i qasshëm, mënyrën si është bërë klorizimi i ujit është bërë në mënyrë manuale. Rrjedhimisht i gjithë sistemi parqet një brishtësi të madhe në aspektin e sigurisë. Prandaj nëse e shohim sistemin e ujësjellësit në rastin fjalë duhet ta kemi të qartë se lehtë ky sistem është i komprometuese. Lehtë, një vërshim uji dhe të gjitha me radhë mund të krijojnë situata të tilla në të ardhmen. Përpos rastit në Deçan kemi edhe vende të tjera ku situatat është e njëjtë. Ne e kemi marrë me seriozitet inspektimet dhe dalje ne një raportimi lidhur me sigurinë e sistemeve të ujësjellësit në vendin tonë.”

Në 24 orët e kaluara, 187 banorë të tjerë të komunës Deçan kërkuan trajtim mjekësor për simptoma të njëjta me të helmimit.

Instituti i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka rekomanduar që deri në normalizimin e gjendjes në fshatrat e komunës Deçan, të bëhet furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar, klorinimi dhe uji në rrjet të përdoret vetëm për arsye higjiene.