Nuk dha informacion për tenderin e rrugëve, KPK gjobit me 50 mijë lekë kryebashkiakun e Sarandës

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, është gjobitur me 50 mijë lekë nga Komisioni i Prokurimit Publik pasi ka refuzuar të japë informacionet e kërkuara për një tender. Organi më i lartë i prokurimeve publike i ka kërkuar pezullimin e procedurës për shtrimin e disa rrugëve me beton me vlerë 5.7 milionë lekë dhe i ka dërguar dy herë kërkesë Gurmës por në asnjë rast nuk i janë vënë dokumentat në dispozicion.

Komisioni i Prokurimit Publik ka gjobitur me 50 mijë lekë të reja kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, pasi ky i fundit ka refuzuar të japë informacion për një tender.

Sipas dokumenteve bëhet fjalë për shtrimin e disa rrugëve të qytetit bregdetar me beton më një fond limit 5.7 milionë lekë të hapur në datën 14 prill 2021.

Gjithçka ka nisur në datën 19 maj kur subjekti “Tea D” ka dorëzuar ankesë pranë KPP.

Më pas ky i fundit pasi është njohur me ankesën, në datën 25 maj ka vendosur pezullimin e procedurës si dhe ka detyruar Bashkinë e Sarandës që brenda 5 ditëve të dërgojë informacionin e kërkuar.

Ndërkohë që kishte kaluar thuajse një muaj nga kërkesa e parë e Komisionit, Gurma nuk i ka kthyer asnjë përgjigje.

Në datën 22 qershor bëhet një shkrese e dyte, ku i kërkohet informacion i detajuar mbi tenderin në fjalë për trajtimin e ankesës së operatorit “Tea D” SHPK, çdo veprim në sistemin elektronik të prokurimeve si dhe pasqyrimi i procesit të vlersimit së bashku me argumentet dhe dokumentet përkatëse.

Në të njëjtën ditë, Bashkia e drejtuar nga Adrian Gurma ka refuzuar të bashkëpunojë me Komisionin e Prokurimit Publik, duke mos dërguar asnjë nga informacionet e kërkuara nga organi më i lartë në fushën e prokurimeve.

Vetë kryeministri, Edi Rama, paralajmëroi para disa ditësh se çdo rast që konstatohet shkelje do shkojë në SPAK nga vetë ai.

Megjithatë, nuk dihet nëse gjithçka do të mbyllet vetëm me një gjobë apo tashmë do të jetë SPAK që do të kryejë hetimet e nevojshme.

Prokurimet Publike janë kthyer në një nga fushat që po gërryejnë më shumë buxhetin e shtetit, sipas Ministrisë së Financave vetëm gjatë vitit 2020 dëmi financiar përllogaritet në vlerën e 557 milionë lekëve.