Lushnja “fshin” emrin e Fatos Tushes, Eriselda Sefa “merr” Bashkinë pas arrestimit të kryetarit të 30 qershorit
Lushnja u bë zyrtarisht bashkia e 6 që do të drejtohet me kryetar të komanduar pas arrestimit të kryebashkiakut të 30 qershorit, Fatos Tushe, për abuzime me tendera. Në vendin e tij, Këshilli vendosi Eriselda Sefën e cila u angazhua për përgjeshmëri.
Eriselda Sefa do të jetë kryetarja e re e Bashkisë Lushnje, duke zëvendësuar në detyrë Fatos Tushën e shkarkuar nga qeveria pasi ai ra në prangat e SPAK për shpërdorim detyre.
Kryebashkiaku socialist akuzohet për abuzime me tenderin me tenderin 240 milionë lekësh të kanalit vaditës të fshatrave, akuzë e cila rëndon edhe ndaj 10 zyrtarëve të tjerë dhe 2 biznesmenëve.
Sipas ligjit qeverisjen vendore i takon njërit prej nënkryetarëve të bashkisë të marrë postin e Kryebashkiakut.
Pasi u komandua në detyrë me 29 vota pro, 4 vota kundër dhe 1 abstenim, Eriselda Sefa, në fjalën e parë para këshillit bashkiak foli për përgjegjshmëri dhe moral.
Kandidat për postin ishte edhe nënkryetari, Gentian Nushi, i cili u tërhoq me arsyetimin se drejton degën e PS dhe nuk mund të marrë edhe postin e kreut të Bashkisë.
Lushnja bëhet kështu bashkia e 6-të në vend që do të drejtohet nga njerëz të komanduar dhe jo përfaqësues direkt të vullnetit të qytetarëve shprehur përmes votës në votimet e 30 qershorit.
Edhe bashkitë e Vorës, Durrësit, Rrogozhinës e Dibrës, drejtohen nga kryetarë të komanduar, pasi drejtuesit janë vënë nën akuzë ose janë dorëhequr
Ndërsa Voltana Ademi qëndron në krye të bashkisë së Shkodrës me mandat të përfunduar, pasi i zgjedhuri socialist i 30 qershorit Valdrin Pjetri u dogj nga ligji i dekriminalizimit.

