Nën ujë dhe pa ujë, thahen të mbjellat në fshatrat Tapizë, Nikël, Larushk e Derven

Fshatrat e Fushë Krujës janë duke kaluar një periudhë të vështirë thatësire për shkak të mungesës së sistemit të vaditjes. Edhe pse janë dy rezervuarë plot me ujë që mund të furnizojnë zonën, fermerët shprehen se kanalet nuk janë në funksion, ndaj prodhimet e tyre po thahen.

Të mbjellat e fermerëve në fshatrat e Fushë Krujës janë duke u tharë.

Mungesa e një sistemi vaditës po penalizon vit pas viti banorët e zonës.

Janë dy rezervuare plot me ujë, por që nuk kryejnë asnjë funksion për shkak të mungesës së sistemit.

Fermerët e zonës thonë se gjithçka po u shkrumbohet nga vapa.

"S'kemi çfarë të bëjmë. Liqeni është po nuk kemi kushte, liqeni do pompa se uji nuk vjen sipër."

"S'ka, u tha gjithë misri, nesër do ta pres për lopët."

"Nuk ka ujë, komuna në radhë të parë nuk ka marrë masa."

"Nuk ka kanë sjellë, qeveria nuk ka i ka vënë veshin hiç."

Thonë se luten të bjerë shi, në të kundërt për pak ditë prodhimet e tyre do të shkatërrohen për këtë sezon.

"Kam shpresë te Allahu ishalla bie shi. Kështu kemi jetuar gjithë jetën."

Bashkia e Krujës nuk jep asnjë detaj për zgjidhjen e problemit, ndërkohë që mësohet se janë më shumë se 1500 hektarë tokë që janë nën ujë por pa ujë.

Më të prekurat janë fshatrat Tapizë, Nikël, Larushk, Derven dhe një pjesë e Rinasit.