Falja e gjobave të fiskalizimit, Konfindustria kundër: Të shtyhet në kohë zbatimi i procesit
Konfindustria ka reaguar lidhur me aktin normativ të qeverisë që parashikon faljen e gjobave për periudhën 6 mujore korrik-dhjetor 2021.
Në një deklaratë për mediat, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku i kërkon ekzekutivit, që thelbi i aktit normativ për fiskalizimin të jetë shtyrja në kohë e zbatimit të procesit në tërësi.
Sipas tij, dalja e aktit normativ të paprecedentë deri sot për të falur gjoba të pritshme, është treguesi më i qartë i mungesës së profesionalizimit në përgatitje dhe dështimit të paralajmëruar të procesit të fiskalizimit të rradhës.
Konfindustria vlerëson, se falja e gjobave jo vetëm nuk ka asnjë vlerë për arritjen e qëllimit të procesit të rradhës të fiskalizimit, por rrezikon të shtojë informalitetin, konkurencën e padrejtë, korrupsionin, rënien e të ardhurave buxhetore, duke shtuar kaosin në sistem dhe dëmtuar në afatgjatë ekonominë kombëtare me përfitues vetëm një grup biznesesh zbatues të licencuar të teknologjisë.
"Shqipëria si asnjë vend tjetër në rajon dhe BE ka eksperimentuar shumë herë në një kohë të shkurtër ndryshimet ligjore të sistemeve të fiskut. Për të shmangur dështimin e rradhës kërkohet shtyrja në kohë e zbatimit, qartësimi i plotë problematikave dhe vetë arsyetimi i qartë në shifra financiare i nevojës dhe përfitimeve të kryerjes së fiskalizimit 2021".
Konfindustria nënvizon se në cdo rast zbatimi i proceseve strategjike fiskale të ngjashme në vendet e zhvilluara të BE kërkojnë shumë më tepër kohë.

