Dhoma Amerikane e Tregtisë, 40 rekomandime qeverisë për të tërhequr investimet e huaja

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paraqitur 40 rekomandime qeverisë shqiptare për të bërë të mundur thithjen e investimeve të huaja. Dënimi i rasteve të korrupsionit, sistem transparent i llogaridhënies si dhe garë reale në tendera qëndrojnë në vërejtjet kryesore. Madje në draft nënvizohet dhe kërkesa për uljen e ndikimit politik në tendera.

Shqipëria duhet të bëjë ende shumë progres për të përmirësuar klimën e biznesit.
Për këtë qëllim Dhoma Amerikane e Tregtisë ka publikuar një paketë me 40 rekomandime drejtuar qeverisë dhe parlamentit të ri.

Më kryesorja në agjendë evidentohet miratimi i një strategjie për investimet e huaja direkte, pasi siç u pranua dhe në draftin e Ministrisë së Financave nuk ka ende një profil të qartë për të orientuar investitorët.

Por edhe niveli i lartë i korrupsionit mbetet një problematikë shqetësuese, ndaj kërkohet një program efektiv për ta luftuar atë.

Për këtë kërkohen sanksione reale ndaj abuzuesve dhe monitorim transparent i llogaridhënies në mënyrë që të krijohet besueshmëria në publik.

Rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndikim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv duke dëgjuar më shumë zërin e qytetarëve dhe palëve të interesuara.

Në lidhje me tenderat Dhoma Amerikane e Tregtisë rekomandon transparencë në zhvillimin e procedurave dhe uljen e ndikimit politik.

Sipas saj shumë investitorë përjashtohen nga gara në mënyrë arbitrare.Ndërkohë që sa më shpejt kërkohet edhe modernizimi i sistemit të taksave për rritjen e konkurrencës dhe investimeve rajonale.

Dhoma Amerikane kërkon një implementim të këtyre rekomandimeve si një garanci për ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon.