Prokuroria e Kosovës nis hetimin për kontaminimin e ujit të pijshëm në Deçan

Prokuroria kosovare po heton rastin e helmimit të qindra personave në komunën Deçan, të cilët dyshohet të jenë helmuar nga konsumimi i ujit të pijshëm prej një Ujësjellësi rajonal. Mostrat kanë treguar koloni të dyshimta bakteresh dhe deri tani janë raportuar dy vdekje të dyshimta.

Uji i kontaminuar dyshohet të jetë shkaku i dy vdekjeve të papritura në Deçan të Kosovës, teksa 1,500 qytetarë të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit.

Prokuroria njoftoi se ka nisur hetimet me Institutin e Mjekësisë Ligjore për të sqaruar aludimet se helmimi ka ardhur prej ujit të pijshëm të një dege të ujësjellësit lokal "Hidrodrini".

Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës bëri të ditur të hënën se nga 6 mostra të testuara të ujit në fshatrat Prilep, Irzniq, Gramaqel, Gllogjan, Baballoq dhe Rastavicë, në dy prej tyre gjeti koloni të dyshimta bakteresh.

Alarmi për një numër pacientësh me simptoma helmimi u dha në fundjavë, kur dhjetëra persona raportonin për diarre, marramendje dhe të vjella.

“Shumica e këtyre familjeve kanë puse familjare prej të cilave e shfrytëzojnë ujin në raste kur ka reduktime të ujit nga rrjeti i ujësjellësit dhe këto reduktime kanë pasur ditëve të fundit në mënyrë të kohë pas kohshme. Në anën tjetër, kemi marrë informata se banorët e Komunës së Deçanit që kanë qëndruar në bjeshkë ditëve të fundit pa asnjë kontakt ose shfrytëzim të ujit të këtij rrjeti kanë shfaqur disa shqetësime shëndetësore të ngjashme.

Për këtë ne kemi vazhduar gjurmimin e shkaqeve edhe sot gjatë tërë ditës dhe deri në momentet e fundit kemi nxjerrë edhe rezultatet e dyta të analizave fiziko-kimike duke marrë mostrat fiziko-kimike në Beleg, në hyrje të qytetit të Deçanit, në qendër të qytetit, te shkolla fillore në rrjetin e ujësjellësit Deçan. Analiza fiziko-kimike të cilat kanë rezultuar pa tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standarde sipas udhëzimit administrativ 16/2012.”

Deri në daljen e rezultateve përfundimtare të analizave kimike dhe biologjike, nga e diela në mbrëmje ujësjellësi rajonal ka ndërprerë furnizimin me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.

Kryetari i Komunës së Deçanit ka deklaruar se dyshimi për helmim të ujit mbetet një hipotezë dhe do të hetohet bashkë me pretendimin se kjo mund të jetë skemë e qëllimshme.