Abuzimet me tenderin e uniformave, GJKKO lë të pandryshuar masat për 9-të arrestuarit

Mbeten në burg 8 nga  9-të të arrestuarit për tenderin e uniformave ne Ministrinë e Brendshme. Zyrtarët kërkuan ndryshim të masës së sigurisë për arsye familjare dhe shëndetësore, por Gjykata e Posaçme nuk i mori parasysh kërkesat e tyre.

Gjykata e posaçme ka lënë të pandryshuar masat e dhëna më parë për 9 zyrtarët dhe ish zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të arrestuar për tenderin e uniformave ne Ministrinë e Brendshme.

8 nga të arrestuarit do të qëndrojnë në burg ndërsa vetëm e një prej tyre do të hetohet në masën arrest shtëpie.

Gjatë seancës së masës së sigurisë të pandehurit dhe avokatët e tyre pretenduan se masa e dhëne është ekstreme dhe se te akuzuarit kanë probleme shëndetësore dhe familjare, ndaj kanë kërkuar të hetohen në masa më të lehta.

Ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të përqendruara Edlira Naqellari ka pretenduar se procedurat e tenderit kanë qenë të rregullta dhe është zbatuar ligji.

Por SPAK në kërkesën drejtuar gjykatës bën me dije se janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarët e njësisë së prokurimit, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, me titullarin e organit qendror blerës, drejtorin e agjencisë së blerjeve të përqendruara ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Në përfundim gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vendosur masën arrest me burg për shtetaset Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Klevis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzati, dhe Gëzim Mingaj.

Masa arrest shtëpie është vendosur për shtetasen Anisa Bogdani.

Hetimi vijon edhe për persona të tjerë të përfshirë në tenderin me vlerë 2.8 miliard lekeve për blerje dhe shpërndarje të uniformave dhe këpucëve në Policinë e Shtetit.